VOA: Parlamenti i Kosovës dënon me rezolutë agresionin e Rusisë ne Ukrainë

0
VOA: Parlamenti i Kosovës dënon me rezolutë agresionin e Rusisë ne Ukrainë
Gjigandi

Parlamenti i Kosovës hapi seancën e së enjtes me një minute zie në shenjë nderimi për viktimat e luftës në Ukrainë. Me 94 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, parlamenti miratoi një rezolutë me të cilën dënon, siç u tha,

“invazionin e Federatës Ruse mbi sovranitetin, shtetësinë dhe popullatën e Ukrainës”.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon qeverisë që krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas t’i bashkërendoj edhe të gjitha veprimet e mëtejshme me partnerët ndërkombëtar si dhe të shpreh gatishmërinë edhe për strehimin eventual të deri pesë mijë refugjatëve nga Ukraina si dhe të ndaj një fond të veçantë për ndihmë popullit ukrainas sipas bashkërendimit ndërmjet dy qeverive respektive

“, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se askush nuk duhet të rrijë indiferent ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

RonaTyra

“Sulmi mbi Ukrainën është sulm mbi botën e civilizuar, është sulm mbi lirinë dhe demokracinë, mbi vlerat tona më të çmuara e për të cilat gjenerata të tëra janë flijuar, pra është sulm mbi të gjithë ne. Ukrainasit nuk e kërkuan këtë luftë, ata nuk e filluan këtë luftë, por ukrainasit duhet të luftojnë sepse ashtu sic lexonte në parullën e një protestueseje “nëse Ukraina ndalon së luftuari – nuk do të ketë Ukrainë”. Arsyeja përse qeveria jonë, ky parlament dhe secili qytetar solidarizohet me Ukrainën dhe qytetarët e saj është së në luftën e tyre për liri ne shohim veten tonë

“, tha ai.

Udhëheqësit e partive opozitare, thanë se rreshtimi i Kosovës me shtetet demokratike i jep kuptim Republikës së Kosovës.

“Jo sepse njohim mirë përballjen me agresorin, jo sepse kemi të gravuar përpjekjen për liri e çlirim por sepse besojmë si shtet e si popull në vlerat që mbrohen sot në Ukrainë e në botën demokratike dhe euroatlantike. Mbi të gjitha ne njohim mirë tendencat e djeshme dhe të sotshme të shtetit të vetëm pro rus në Evropë, Serbisë. Fqinji ynë verior në gjithë këtë rirreshtim botëror tregoi se as nuk beson dhe as nuk synon t’i mbajë vlerat e njëjta demokratike që bota sot po i promovon”

, tha Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se

“me këtë rezolutë Kosova e formalizon rreshtimin e saj të drejtë dhe të duhur krahas demokracive evropiane dhe botërore, duke kundërshtuar, dënuar dhe refuzuar logjikën e agresionit ushtarak ndaj rendit demokratik, ndaj sovranitetit të një vendi demokratik dhe ndaj vlerave demokratike mbi të cilat qëndron liria e një vendi”.

Përfaqësuesi i Listës Serbe në parlamentin e Kosovës, Igor Simiç,, tha se deputetët duhet të përmbahen në deklarimet e tyre, duke theksuar se Serbia është kundër çfarëdo lloj konflikti ndërmjet popujve.

“Ju ftoj të gjithëve që t’i masni fjalimet tuaja, ju lutem mos të cenoni paqen të cilën e kemi ndërtuar në këto vende dhe ende jemi duke punuar për të. Prandaj edhe një herë e theksoj se Serbia është kundër çfarëdo lloj konflikti e posaçërisht ndërmjet popujve vëllazëror. Ne jemi kundër të gjitha gjërave që mund të sjellin humbje të jetëve pavarësisht çfarë lloj gjuhe përdorin ata, apo çfarë komuniteti i takojnë”,

tha ai.

Deputetët e Listës Serbe kthyen përmbys pankartat që mbanin mesazhet e mbështetjes për Ukrainën dhe braktisën seancën derisa po votohej për rezolutën.

Serbia votoi të mërkurën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Kremlinit.

Sanksioneve tashmë u janë bashkuar shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu