VOA: Një klinikë dixhitale në Kosovë në ndihmë të ukrainasve

0
VOA: Një klinikë dixhitale në Kosovë në ndihmë të ukrainasve
Gjigandi

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, qytetarët e Kosovës janë vënë në përpjekje për të ofruar ndihmën e tyre për popullin ukrainas nëpërmjet nismave të ndryshme.

Njëra nga to është edhe Klinika Dixhitale për Ukrainën, një projekt i Klinikës Dixhitale të Kosovës e cila ishte funksionalizuar në vitin 2019.

Mjeku Dardan Asllani, themelues i Klinikës Dixhitale, thotë se synimi i këtij projekti është lehtësimi i qasjes në shërbime shëndetësore për njerëzit në Ukrainë.

“E kemi themeluar këtë me synimin për të ndihmuar qytetarët ukrainas në këto kohë të vështira dhe në bashkëpunim me ‘Ternopil State Medical University’ në Ukrainë e kemi themeluar. Mjekët e këtij universiteti ofrojnë shërbime e konsultime online, deri më tani i kemi rreth 40 mjekë të cilët ofrojnë shërbime shëndetësore, numri i mjekëve është vazhdimisht në rritje dhe synojmë që të arrijmë të ndihmojmë sa shumë ukrainas”

, thotë zoti Asllani.

RonaTyra

Ai thotë se ngjashmëria e pamjeve të luftës në Ukrainë me luftën e vitit 1999 në Kosovë e ka shtyrë të ndërmarrë diçka për të ndihmuar sadopak njerëzit atje.

“Populli jonë e ka përjetuar një situatë të ngjashme dhe ndiejmë dhimbje të madhe kur shohim miliona qytetarë të detyruar të braktisin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, me një pasoguri për të ardhmen dhe duke marrë parasysh të gjitha këto, ne kemi punuar intensivisht për të pasur një platformë të tillë që sadopak të lehtësojmë ofrimin e shërbimeve shëndetësore”,

thotë ai.

Numri i mjekëve që janë pjesë e kësaj nisme është në rritje, thotë zoti Asllani, ndërsa deri në muajin maj pritet që ky numër të shkojë në 100.

“E kemi parë si mundësi që të përdorim teknologjinë për të ndihmuar qytetarët ukrainas. Mënyra se si do të ofrohen shërbimet në këtë platformë është nëpërmjet konsultimeve online. Duke e ditur që qasja në shërbime shëndetësore për refugjatët të cilët janë detyruar të zhvendosen është e vështirë, posaçërisht edhe për pacientët të cilët kanë sëmundje kronike dhe vazhdimisht kanë nevojë të kontaktojnë me mjekun, si dhe duke marrë parasysh situatën atje e cila e shqetëson edhe më shumë pacientin dhe gjendjen e tij shëndetësore, konsultimi me mjekun është edhe më shumë i nevojshëm”,

thotë ai.

Platforma online e Klinikës Dixhitale për Ukrainën ka filluar punën këtë javë dhe sipas themeluesve të saj, interesimi deri tani ka qenë mjaft i madh./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu