Kur analizon fillesat e protestave të lëvizjes Black Lives Matter, aktivisti dhe profesori Todd Gitlin sheh reagimin e një shumice ndaj kontrollit të pakicës.
Protestuesit, të indinjuar nga pabarazia racore, ekonomike dhe sociale po kundërpërgjigjen ndaj regjimit të pakicës, thotë prof. Gitlin. duke iu referuar fitores së Presidentit Donald Trump përmes Kolegjit Zgjedhor në vitin 2016, megjithëse demokratja Hillary Clinton fitoi votën popullore me mbi 2.8 milionë vota më shumë sesa zoti Trump.
“Edhe përpara pandemisë, ishte e qartë që pabarazia ishte gjithnjë e më e thellë. Njerëzit nuk e durojnë dot kur kapërcen një kufi i caktuar dhe kemi institucione politike që kanë dështuar në zgjidhjen e problemeve tona, thotë prof. Gitlin, që filloi aktivizmin e tij që kur ishte student, me protesta kundër armëve bërthamore dhe Luftës së Vietnamit dhe më pas si profesor në Universitetin e Kalifornisë, në Berkley, për çështje si aparteidi në Afrikën e Jugut. Aktualisht ai është profesor gazetarie dhe sociologjie në Universitetin e Kolumbias.
“Ne kemi një sistem politik jodemokratik që as nuk e pranon që njerëzit kanë të drejta të barabarta për të marrë pjesë në procesin politik”, thotë ai. Prof. Gitlin fajëson pjesërisht Kolegjin Zgjedhor, që ai e konsideron si “një institucion relik të shekullit të 18-të, i krijuar në rrethana krejtësisht të ndryshme”.
Hartuesit e Kushtetutës e parashikuan Kolegjin Elektoral në dokumentin themelor të vendit. Është një proces përmes së cilit presidentën nuk zgjidhjen në bazë të votës popullore. Kur njerëzit hedhin votën, ata në fakt votojnë për anëtarët e kolegjit zgjedhor që mbështesin kandidatët.
Çdo shtet ka të njëjtin numër anëtarësh të Kolegjit Zgjedhor sa ç’ka anëtarë të Kongresit, një për çdo anëtar të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe nga një për seciln nga senatorët. Në shumicën e shteteve, fituesi i votës popullore në një shtet, zakonisht merr të gjitha votat elektorale të atij shteti.
“Nuk ka asnjë gjë të shenjtë tek kufijtë e shteteve dhe nuk ka arsye se pse banorët e një rajoni, duhet të mos llogariten në numërimin përfundimtar. Parimi duhet të jetë: Një qytetar, një votë”, thotë Prof. Gitlin. Republikanët dhe konservatorët në përgjithësi janë në favor të Kolegjit Elektoral dhe kundër një sistemi votimi të drejtpëdrejtë për zgjedhjen e presidentëve.
“Mendoj se është një mënyrë më e mirë për të zgjedhur një president që përfaqëson një spektër më të gjerë të popullit amerikan”, thotë Hans von Spakovsky, një studiues ligjor në Fondacionin Heritage dhe ish-anëtar i Komisionit Zgjedhor Federal.
“Kandidatët mund të bënin fushatë vetëm në qytetet e mëdha për t’u bërë presidentë. Mund të injorojnë pjesën tjetër, sidomos zonat rurale në shtetet më të vogla. Dhe mendoj se sistemi i Kolegjit Zgjedhor e parandalon atë lloj sjelljeje”, thotë ai. Zoti Von Spakovsky e hedh poshtë idenë e qeverisjes nga pakica, duke theksuar se republikanët kanë 26 guvernatorë në gjithë vendin, ndërsa demokratët 24.
Pesë presidentë amerikanë kanë fituar, megithëse kanë humbur votën popullore. Përveç zotit Trump, republikani George W. Bush u bë president, pasi fitoi Kolegjin Zgjedhor, megjithëse e humbi votën popullore ndaj demokratit Al Gore. “Kanë vënë në zbatim qeverisjen nga pakica. Lëvizja Trump është një përpjekje për të zvarritur një ndryshim që ka filluar. Dhe mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm për shkak të Kolegjit Zgjedhor jodemokratik dhe disa masave të tjera jodemokratike”, thotë Prof. Gitlin.
Një nga këto masa, thotë ai, është praktika e manipulimit të kufijve të distrikteve politike brenda një shteti me synimin për t’i dhënë avantazh politik padrejtësisht një partie të caktuar. “E kemi pasur këtë praktikë për një kohë të gjatë që nga fillimet e vendit dhe njerëzit gjithmonë kanë shprehur pakënaqësi. Por është pjesë e sistemit tonë politik dhe askush nuk ka propozuar zgjidhje që do ta parandalonte një gjë të tillë, pa shkelur të drejtat e amerikanëve”, thotë von Spakovsky.
Megjithëse nuk ka një përpjekje serioze për ta ndryshuar sistemin e Kolegjit Zgjedhor, disa shtete po përpiqen të ndërmarrin reforma për mënyrën e përcaktimit të kufijve të distrikteve zgjedhore./VOA
Burimi: top-channel.tv