Zgjedhja e presidentit të ri për herë të parë në tranzicionin shqiptar ka tërhequr një pjesë të madhe të opinionit publik dhe mediatik. Si rrallëherë, çështja e gjetjes së kandidatit më të përshtatshëm që do të drejtojë shtetin shqiptar në 5 vitet e ardhshme ka nxjerrë në dritë një numër të madh pretendetësh, ku disa prej tyre janë vetëshpallur, ndërsa të tjerë janë propozuar.
Tashmë, lista e emrave të propozuar në media për të drejtuar Presidencën e Shqipërisë është plotësuar me 5 të tjerë duke e rritur numrin në 23. Përderisa partitë politike janë ende në fazën fillestare të grumbullimit të nominimeve për kryetarin/kryetarin e ri/re të shtetit, përfaqësues të medias dhe opinionit publik kanë shfrenuar mendimet e tyre për të propozuar presidentin/presidenten ideale të vendit tonë. Së fundmi, në listën e kandidatëve për të pasuar Ilir Metën janë shtuar: ish-kryeministri Fatos Nano; deputeti i PS, Pandeli Majko; bashkëshortja e kryeministrit, Edi Rama, Linda Rama; ish-ministri dhe mjeku i njohur Halim Kosova dhe shkrimtarja e akademikja Lea Ypi.
Fatos Nano propozohet nga Ilir Kulla
Këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla propozoi ish-kryeministrin socialist Fatos Nano si kandidatin më të përshtatshëm për të drejtuar shtetin shqiptar. Në rrjetet sociale, ish-këshilltari i Nanos komentoi se nëse Partia Socialiste dëshiron të tregojë që është parti e vërtetë politike të zgjedhë Nanon si presidentin e ri të vendit. Ai e konsideroi procesin aktual të përzgjedhjes së pretendentëve për drejtimin e Presidencës së Shqipërisë, e iniciuar nga PS si komedi e zezë.
“Nëse PS do të tregojë që është parti politike e ka kandidatin për president, Fatos Nanon. Nëse do të vazhdojë humorin e zi me kandidatë me e-mail, thjesht do e bëjë vendin edhe më qesharak
“, shkruan Ilir Kulla.
Kryemadhi zgjedh Pandeli Majkon
Në një studio televizive, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shprehu hapur se do të propozonte në Parlament deputetin e rikthyer në Kuvend dhe ish-kryeministrin Pandeli Majkon si presidentin e ri të Shqipërisë. Ajo pranoi se nuk zotëron 28 firma deputetësh për të regjistruar kandidaturën e Majkos. “Unë, Pandeli Majkon. Për përfshirje në proces, unë nuk i kam 28 firma. Nëse do t’i kisha 28 firma, unë do ta propozoja. Sepse sot njerëzit gjenden përballë mungesës së alternativës. Edhe kjo, që t’i të shkosh të bëhesh ushtar i Edi Ramës pa një alternativë. Sepse bojkoti, çfarë është? Bojkoti është që ti nuk ke alternativë, prandaj e bojkoton. Po nëse ti ke alternativë”, deklaroi Kryemadhi.
Ina Zhupa shpreh si kandidaturë Halim Kosovën
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa hodhi si kandidaturë për presidentin e ri të Shqipërisë ish-ministrin e Shëndetësisë dhe mjekun e njohur, Halim Kosovën. Ajo deklaroi se Kosova është profil i pëlqyer dhe në radhët e Partisë Socialiste si dhe është figurë që nuk përdoret politikisht.
“Unë mund të sjell raste të personaliteteve që janë të djathtë, por që kanë marrë vlerësime edhe nga e majta, ja do të them Halim Kosovën. Nuk besoj e ka njeri dyshime se profili i doktor Kosovës është një profil që do të bëhet vegël politike. Të bëhemi pjesë e procesit, të japim figura tonat. Procesi të jetë i hapur dhe jo me zarfe
“, deklaroi Ina Zhupa.
Lista e kandidatëve për president
1.Majlinda Bregu
2.Elena Kocaqi
3.Sazan Guri
4.Dritan Demiraj
5.Veton Surroi
6.Lulzim Basha
7.Valentina Leskaj
8.Mimi Kodheli
9.Ermelinda Meksi
10.Ina Rama
11.Luljeta Bozo
12.Milva Ikonomi
13.Besiana Kadare
14.Aurela Anastasi
15.Valdete Sala
16.Vali Bizhga
17.Dashamir Shehi
18.Edi Rama
19.Pandeli Majko
20.Fatos Nano
21.Linda Rama
22.Lea Ypi
23.Halim Kosova