Athletic Bilbao “harron” dy humbjet radhazi në “San Mames” ndaj Sevillas dhe Real Madridit me suksesin 1-2 në fushën e Levantes, që e ngjit të paktën përkohësisht në vendin e shtatë, me pikë të barabarta me Real Sociedadin (luan të hënën me Villarrealin).
Në fakt, skuadra baske e hipotekoi që në pjesën e parë fitoren me dy gola të veteranit Raul Garcia, që e tundi rrjetën në fillim (4’) dhe në fund të këtij fraksioni.
Ndeshja u bë edhe më e bukur në 20 minutat e fundit, pasi shqiptari i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi, shkurtoi diferencën në minutën e 71-të.
Bilbao rezistoi me të gjitha mënyrat në minutat e mbetura, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme që e e kthen ekipin qoftë përkohësisht në zonën europiane por i jep edhe moralin e duhur për sfidat e mbetura të sezonit.
Ndërkohë duket e pashmangshme rënia nga kategoria e Espanyolit, që u mposht 2-0 nga Eibari me dygolësh të Espozitos, i pari më 11-metërsh. I njëjti autor humbi penalltinë pak minuta pasi kishte realizuar të parën.