Gjermania pritet t`i zgjasë paralajmërimet e saj të udhëtimit për 160 vende jashtë Bashkimit Europian deri në fundin e muajit gusht, ndërsa kontrollet në kufi me shtetet fqinjë do t`i heqë që në mesin e qershorit.
Teksa kriza e koronavirusit në shumë shtete të Europës po zbutet disi, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas thotë se Gjermania nuk ka ende sisteme me pjesën tjetër të botës për të vlerësuar dhe koordinuar udhëtimin pa ndeshur në rreziqe të mundshme. “ Nuk mund të rrezikojmë që gjermanët të mbeten sërish të bllokuar anekënd botës këtë verë, ose që pushuesit gjermanë të kthehen në vend me virusin e të kalojnë pa u diktuar”, tha Maas.
I ndërgjegjshëm se shumë turistë mund të duan të udhëtojnë në destinacione që përfshijnë Turqinë, SHBA-në, veriun e Afrikës dhe jug-lindjen e Azisë, shefi i diplomacisë gjermane tha se qeveria do të vazhdojë t`i shohë me kujdes paralajmërimet e saj të udhëtimit përpara shtatorit. Nga këto paralajmërime përjashtohen vendet e BE-së, anëtarët e Shengenit dhe Mbretëria e Bashkuar. Gjermania e kishte njoftuar heqjen e ndalesës së udhëtimit për shtetet e bllokut, Islandën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën duke filluar nga 15 qershori.
Ministri i Brendshëm Horst Seehofer deklaroi se vendi do të shkojë më tej duke i hequr kontrollet kufitare deri në këtë datë, por paralajmëroi se kjo do të rishqyrtohet nëse situata me koronavirusin përkeqësohet. Seehofer gjithashtu tha se rregullat ekzistuese për qytetarët e vendeve jo anëtare të BE-së që duan të vijnë në Gjermani do të zgjaten deri në fund të qershorit.
Burimi: top-channel.tv