UEFA do të vendosë javën e ardhshme se si të përfundohet stinori 2019-20 në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Këto dy gara janë pezulluar që nga marsi shkaku i pandemisë së koronavirusit.
UEFA në faqen zyrtare të enjten ka njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i saj do të mbajë video-konferencë më 17 qershor, ku ndër temat që do të bisedohet do të jetë edhe vazhdimi i garave në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Të dy këto gara janë ende në 1/8 e finales.
Finalja e Ligës së Kampionëve ishte paraparë të mbahej në Stamboll, ndërsa ajo e Ligës së Evropës në qytetin polak Gdansk. Por, muajin e kaluar UEFA ka thënë se do të shqyrtojë opsione tjera.
Mund të vendoset që ndeshjet e mbetura në të dy garat të luhen në një arenë dhe të luhen çerekfinalet dhe gjysmëfinalet me vetëm një ndeshje, në vend se të luhen dy.
Kanë mbetur edhe katër ndeshje pa u përfunduar në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Deri më tash katër klubve, Atletico Madridi, PSG-ja, Atalanta dhe RB Leipzigu, kanë siguruar kalimin në çerekfinale.
Në Ligën e Evropës, dy ndshje të para të 1/8 së finales ende duhet të luhen, si dhe të gjitha ndeshjet e kthimit.
Kryebashkiaku i Madridit të martën ka thënë se është duke u biseduar për organizimin e finales të Ligës së Kampionëve.
Në takimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s po ashtu planifikohet të bisedohet për orarin dhe vendin për Euro 2020, që është shtyrë për verën e vitit 2021. Po ashtu do të bisedohet për datat e ndeshjeve të barazhit që është paraparë të luhen në mars. Në gjysmëfinale të barazhit Kosova do të luajë me Maqedoninë e Veriut.