Veliaj: SPAK të hetojë 21 janarin

0
Gjigandi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, foli gjatë një interviste të dhënë për Euronews Albania këtë të martë edhe për kallëzimin e bërë në SPAK për 21 janarin nga mazhoranca socialiste. Veliaj tha se PS kërkon që 21 janari të marrë nga Prokuroria e Posaçme vëmendjen e duhur, pasi kemi të bëjmë me vrasjen e 4 njerëzve në bulevard, të cilët kishin dalë për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar.

“Ne nuk punojmë në SPAK, nuk punojmë në sistemin e drejtësisë. Përkundrazi një nga arritjet tona është që kemi një sistem drejtësie, ku kryeministri jo vetëm që nuk i bëhet barrë dhe të pengojë drejtësinë, siç ndodhte me Sali Berishën e Ilir Metën, ku ndaloheshin urdhër-arrestet e gardistëve. Jetojmë në dy realitete të ndryshme. Ajo që Edi Rama nuk mund të bëjë është te bëjë prokurorin e gjykatësin, e sigurisht as unë nuk mund ta bëj këtë. Kemi kërkuar që kjo çështje të marrë seriozitetin më të lartë dhe 21 janari të mos kthehet vetëm në një ritual homazhesh, por të kthehet në një moment reflektimi, që shqiptari-shqiptarin për bindje politike nuk do e vrasë kurrë me plumba në mish”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës bëri dhe një rezyme të shkurtër të asaj çfarë kishte ndodhur më 21 janar. “Në 2011 u organizua një protestë me njerëz të paarmatosur, me njerëz që s’u futën në gardhin e kryeministrisë, as në ndërtesën e kryeministrisë dhe këta njerëz u vranë me plumba në mish. Arsyeja pse u organizua një protestë është se Ilir Meta u kap në flagrancë duke kërkuar e duke marrë ryshfet me një nga ministrat dhe vartësit e tij, kështu që për të kuptuar që këta njerëz që sot po shiten si vegjetarianë të politikës, janë në fakt mishngrënësit që nuk i kanë lënë kockë, jo më mish, këtij vendi, ndërkohë që e kanë pasur mundësitë për të qeverisur dhe jo vetëm kanë qeverisur keq, por edhe kanë vrarë për të ruajtur pozitat e tyre”, theksoi Veliaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu