Me nderime të larta është varrosur sot veprimtari i çështjes kombëtare Shefqet Vokshi. Në ceremoninë e varrimit disa qindra qytetarë kanë bërë homazhe pranë arkivolit të të ndjerit, duke e nderuar atë për tërë sakrificen dhe kontributin që i ndjeri ka dhënë përgjatë jetës së tij.
Një fjalë rasti në këtë ceremoni përkujtimore, e ka mbajtur edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili mes tjerash ka folur për aktivitetin e shumtë të të ndjerit Shefqet Vokshi, duke e cilësuar atë si një punëtor të dalluar dhe të pa kompromis për çështjen kombëtare.
Sipas një njoftimi të Komunës së Gjakovës, fjalë rasti, në të cilat u vlerësua lartë figura dhe kontributi i Shefqet Vokshit, mbajtën edhe akademik Jusuf Bajraktari, Zija Mulhaxha nga organizata e veteranëve të LNÇ-së, Bedri Zyberaj nga Agjencia shtetërore e arkivave e të Kosovës, si dhe në emër të familjes, i biri i të ndjerit Shefqet Vokshi, Miloti.
Ndryshe, Shefqet Vokshi, ishte një historian dhe veprimtar i njohur jo vetëm në Gjakovë e Kosovë por në mbarë trevat shqiptare. Ai është pinjoll i familjes së madhe Vokshi, konkretisht pasardhës direkt i patriotëve, Dergut Vokshi, Asim Vokshi, Bije Vokshi, Xhafer Vokshi e deri te kryekomandanti i ushtrisë shqiptare në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit Sylejman Vokshi.
I ndjeri Shefqet Vokshi, ka qenë edhe i burgosur politik.