​Unionet e turizmit bëjnë thirrje për zhvillim të këtij sektori, hapet sezoni turistik

0
​Unionet e turizmit bëjnë thirrje për zhvillim të këtij sektori, hapet sezoni turistik
Gjigandi

Maji i vitit 2022 ka mbledhur disa nga vendet e Ballkanit ku është bërë hapja e Panairit Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2022”, organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës.

Nga përfaqësuesit e Unioneve të Turizmit është shprehur interesimi për t’u rritur bashkëpunimi midis Kosovës dhe vendeve si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ku është bërë thirrje që të rritet bashkëpunimi për promovimin e potencialeve turistike.

Drejtori i Unionit të turizmit në Shqipëri Rrahman Kasa ka thënë për KosovaPress se tashmë janë shpërndarë edhe ofertat për turistët kosovarë, të cilët edhe këtë verë do ta kenë destinacion Shqipërinë.

Kasa: Vazhdimisht kemi punuar për një ofertë të përbashkët turistike

“Ne vazhdimisht kemi bashkëpunuar sidomos me të dy anët e kufirit Shqipëria dhe Kosova për ta bërë një paketë të përbashkët turistike ose për të ndihmuar njëri-tjetrin në turizëm në potencialin turistik që ofron njëra apo tjetra anë e kufirit. Ne zakonisht jemi të fokusuar te turizmi bregdetar, ku qytetarët e Kosovës përbëjnë pjesën më të madhe të turistëve që frekuentojnë bregdetin e Shqipërisë dhe e kundërta kur qytetarët shqiptarë vijnë në Kosovë për t’u argëtuar ose për të shfrytëzuar potencialin turistik që ka Kosova sidomos sezonin dimëror, tashmë jemi në një situatë komode unë besoj që do të ketë shumë herë prurje më të mëdha, sepse qytetarët janë të mërzitur me situatën e pandemisë, “

RonaTyra

tha ai.

Gëzim Hajdinaga nga Shoqata e Turizmit të Malit të Zi, ka thënë se beson se do të ketë më shumë bashkëpunimin me institucionet kosovare për zhvillimin e sektorit të turizmit.

Hajdinaga: Do të ketë dyer më të hapura në bashkëpunimin turistik

“Sa i përket të parët që e thatë në lidhje me situatën në Mal të Zi, në vijë shumë më herët nga postet e ndryshme si anëtarë i qeverisë së Malit të Zi dikur me kryeministrin Gjukanoviq dhe Vujanoviq dhe atje janë hedhur hapat e parë të bashkëpunimit ku kemi eliminuar shumë barriera qofshin politike pse jo gjithmonë për turizmin, kemi pasur një ndjenjë që me qeverinë sapo kaloi, por tash me ardhjen e kryeministrit të ri Abazoviq, i cili është edhe ulqinak shqiptar, unë mendoj që ai do ta vazhdojë nismën që e kemi pasur të mirë me Gjukanoviq, por pse jo edhe më tepër sepse duke qenë që është vetë ulqinak dhe vjen nga një familje e turizmit, ai do të jetë më i ndjeshëm dhe do të ketë dyer më të hapura sa i përket këtij bashkëpunimi”,

tha ai.

Për thellimin e bashkëpunimit midis Agjencisë së Turizmit të Maqedonisë së Veriut dhe me Unionin e Turizmit të Kosovës është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve e që do të bëhet edhe një prezantim i potencialeve turistike të të dy vendeve.

Janevski: Do ta bëjmë një prezantim të përbashkët me vendet e treta

“Lidhur me bashkëpunimin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut shpresojmë që në një të ardhme sa më të afërt do ta bëjmë një prezantim të përbashkët me vendet e treta të largëta të botës që do ta prezantojmë duke e sjellë një destinacion të përbashkët turistik”

, tha Ljupço Janevski, drejtor i Agjencisë së Turizmit- Maqedoni e Veriut.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2022” po mbahet në ambientet e hotelit “Grand” në Prishtinë dhe ai do të jetë i hapur edhe nesër kur do të ketë prezantime të reja të ofertave turistike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu