Ujësjellësi, fryrje të administratës me 71%

0
Gjigandi

“Kam punuar dy herë në UK Elbasan; 2002-2004, kur menaxhohej nga Berlin Wasser dhe 2011-2013, kur më hoqën nga puna. Herën e parë ika vetë, pasi me ndryshimin që iu bë stafit menaxherial nuk e shikoja veten pjesë të asaj hipokrizie”, – rrëfen ai për Investigative Network Albania-n.

“Herën e dytë më hoqën nga puna, pa asnjë motiv të qenësishëm. Motivi ishte i pastër, politik. Gjykata më dha të drejtë dhe Ujësjellësi pagoi kostot për 15 paga ndaj meje”, – rrëfen ai.

Mënyra e punësimeve në këtë shoqëri ka qenë edhe objekt i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në një raport të qershorit 2022, vë në dukje se ka shkelje të rënda në procedurën e rekrutimit të punonjësve të rinj.

“Në shumë raste evidentohet kohë shumë e shkurtër nga momenti i deklarimit të pozicionit të lirë të punës deri në momentin e emërimit në punë të fituesit”, – citohet në raportin e KLSH.

Nëpërmjet kërkesave për informacion, INA MEDIA mësoi se ka një disbalancë të madhe mes parave që shkojë për investime dhe atyre për pagat e punonjësve. Konkretisht, në vitin 2015 (sipas tabelës), buxheti i UK, Elbasan ka qenë 382 milionë lekë, rreth 20% e këtij buxheti shkoi për paga e sigurime; në vitin 2016, 26% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime; në vitin 2017, 27% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime; në vitin 2018, 44% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime; në vitin 2019, 44.5% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime, ndërsa në vitet 2020 dhe 2021, respektivisht 49% dhe 48% shkuan për paga e sigurime.

Union Contact

Si pasojë e kostove të larta të administratës, Ujësjellësi ka pasur efekt negativ tek investimet.

Referuar të dhënave zyrtare që Ujësjellësi i Elbasanit i vuri në dispozicion INA MEDIA-s në vitin 2015, vetëm 3.4% e buxhetit ka shkuar për rikonstruksion. Në vitin 2016 për investime ka shkuar vetëm 7.2% e buxhetit total; në vitet 2017-2018 ka pasur zero investime të reja; në vitin 2019 është investuar vetëm 5.3% e vlerës totale të buxhetit; në vitin 2020, 33% e buxhetit dhe në vitin 2021 40.9% e buxhetit. Rritja e investimeve përkon edhe me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Duke marrë totalin e investimeve në tetë vite, krahasuar me buxhetin e UK, Elbasan, rezulton se për investime ka shkuar 25% e totalit të buxhetit. Ndërsa pagat kanë marrë rreth 40% të buxhetit vjetor ose 15% më shumë në vit sesa investimet.

Kostot e kësaj administrate të fryrë dhe investimet me pikatore i vuajnë banorët. Ujësjellësi thotë se furnizon 14 orë në ditë me ujë të pijshëm, por vetë banorët tregojnë se uji në Elbasan vjen vetëm gjashtë orë në ditë: dy orë në mëngjes, dy orë në drekë dhe dy orë pasdite.

Nga ana tjetër Ujësjellësi pranon se humbjet në rrjet janë në nivel shumë të lartë. Përgjatë vitit 2021, uji i pafaturuar arriti në 74.20% të totalit të ujit të prodhuar nga ky ujësjellës.

“Ndërhyrja e paligjshme në rrjetin ujësjellës, kryesisht në zonat informale, ka krijuar humbje të larta të ujit të pijshëm, por edhe rrezik për ndotje të furnizimit me ujë. Po ashtu, mungesa e matësve të ujit te të gjithë klientët bën që të mos llogaritet saktë harxhimi i abonentëve”, – shprehet UK, Elbasan për INA MEDIA-n.

Ujësjellësi i Fierit dhe “sh”punësimi kolektiv

Ndryshe nga Elbasani, Ujësjellësi i Fierit rezulton si një nga shoqëritë që e ka ulur për vitin 2021 numrin e të punësuarve. Megjithatë, dy raporte të ndryshme të KLSH-së kanë zbuluar se Ujësjellësi i Fierit ka bërë vazhdimisht “lojëra” me punësimet. Nën justifikimin e ristrukturimit të shoqërisë, në të njëjtin vit kur deklaron numrin më të ulët të punëtorëve, KLSH ka zbuluar se përgjatë vitit 2021 ka kryer rekrutime mbi strukturën e miratuar.

“Është tejkaluar numri i fuqisë punëtore në total me 38 punonjës për muajt qershor-shtator të vitit 2021 si pasojë e ristrukturimit të shoqërisë”, – thuhet në raportin e KLSH-së, publikuar në korrik 2022.

Për këta punonjës mbi strukturë është likuiduar shuma prej 1.2 milionë lekësh të reja, duke bërë që për një pozicion pune të jenë të punësuar dy punonjës.

Megjithatë, kurba e punësimeve ka pësuar ndryshme drastike vit pas viti, përgjatë periudhës 2015-2021. Rritja më e madhe e të punësuarve në Ujësjellësin e Fierit ka ndodhur në vitin 2016, nga 320 punonjës, në 421 punonjës. Por, këtë vit rezulton se të punësuarit e rinj nuk kanë qenë vetëm 100, por 420, pasi janë shkarkuar njëherësh 320 punonjës. Kjo zbulohet nga një raport i KLSH-së për UK, Fier, ku deklarohet se në kuadrin e ristrukturimit të shoqërisë nuk është zbatuar asnjë kriter, si për përzgjedhjen e punonjësve të larguar, ashtu dhe për rekrutimin e punonjësve të rinj. Nuk ka gjurmë në asnjë rast në burimet njerëzore për nevojat e sektorëve apo drejtorive.

“Me Vendim të Asamblesë së Përgjithshme, më datë 15.07.2016, është bërë shpallja e njoftimit të pushimit kolektiv për 320 punonjës. Pas pushimit kolektiv nga puna dhe ristrukturimit të ri është konstatuar se 74 punonjës, të cilët ishin në marrëdhënie pune me UKF Sh. a., nuk janë punësuar më, ndërsa janë punësuar 103 punonjës të rinj në radhët e UKF Sh. a., 64 prej të cilëve janë të ardhur nga ujësjellësit e komunave”, – deklarohet në raportin e KLSH.

Pushimet kolektive si pasojë e ristrukturimit të shoqërisë kanë vijuar edhe në vitin 2018 me pushimin e 28 punonjësve. Në të njëjtën kohë ky institucion ka shpallur 26 vende të reja pune për Task Force, ku 12 punonjës u rimorën në punë, ndërsa 9 punonjës për arsye të kriterit moshë (mosha ≤ 50 vjeç) nuk janë përzgjedhur si pjesë e strukturës së re.

“Mos-rekrutimi i punonjësve si pasojë e pushimit kolektiv bazuar në kriterin moshë konsiderohet si diskriminues”, – thuhet në raportin e KLSH, publikuar në korrik 2022.

Kjo nuk është shkelja e vetme që është kapur gjatë auditimit në këtë shoqëri. Në këtë raport KLSH konstaton se nuk ka rregulla të përcaktuara qartë për rekrutimin e punonjësve.

“Në 67 raste punonjësit me profesion pompist dhe elektropompist janë pa dëshmi të kualifikimit të sigurimit teknik, që mund të çojnë në aksidente në punë”, – kritikon raporti.

Edhe në Fier, veç vitit 2015, ku investimet arritën në 35% të buxhetit, investimet kanë qenë në vlerë shumë më të vogël sesa fondi për pagat dhe sigurimet. Viti më i keq për investimet në UK, Fier rezulton viti 2016, me vetëm 2% të buxhetit total.

Banorët paguajnë më shumë nga sa konsumojnë

Fshati Peshtan, i cili është vetëm 7 km larg nga qyteti i Fierit, vuan mungesën e ujit të pijshëm. Banorët e mbetur në fshat tregojnë se ai është braktisur pikërisht prej mungesës së ujit të pijshëm. Dikur ky fshat numëronte rreth 165 familje, sot nuk ka as 30 të tilla.

Njëjtë si Peshtani, edhe shumë fshatra të tjerë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm për shkak të humbjeve në rrjet, që aktualisht janë në masën 67%. Banorët ankohen se problem janë faturimet aforfe dhe cilësia e ujit.

“Prej muajit dhjetor të vitit 2021, tarifa mujore, nga 2350 lekë, u rrit në 3130 lekë në muaj. Mungesa e sahatit në shtëpinë time nuk është përgjegjësi e imja, por e shtetit që nuk e vë, për më tepër që ujin nuk e pij dot, sepse nuk është i pastër”, – ankohet një banor i lagjes “1 Maji”, i cili nuk pranon të identifikohet.

“Punonjës kanë plot, por një sahat matës nuk e vënë dot”, – përfundon ai.

Pagesat e larta të banorëve për shkak të faturimit aforfe kanë fryrë “pa të drejtë” arkën e Ujësjellësit të Fierit.

Ky fakt është evidentuar edhe nga KLSH, i cili ka konstatuar se Ujësjellësi i Fierit merr më shumë pará nga konsumatorët sesa nga uji, që këta të fundit kanë konsumuar.

“Të paktën në tre vite, 32.2% e konsumatorëve nuk janë të pajisur me matës, duke bërë që shitja e furnizimit me ujë të mos llogaritet në bazë të konsumit real, vlerësuar nëpërmjet aparateve matëse”, – evidenton KLSH.

Mbi-faturimi ka ardhur, pasi ky Ujësjellës nuk e ka bërë bilancin e ujit, nuk ka bërë një analizë të humbjeve teknike apo menaxheriale dhe as ka një plan të detajuar për numrin e konsumatorëve pa matës.

Persona të pakualifikuar dhe emërime politike

Jo vetëm ekspertët, por edhe vetë institucionet pranojnë se Ujësjellësit janë të mbushur me emërime që vijnë për shkak të lidhjeve politike.

“Fatkeqësisht, sektori paraqitet akoma i mbingarkuar me staf të pajustifikuar, që në mjaft raste janë të punësuar pa arsimin dhe kualifikimet përkatëse, dhe bazuar në kritere partiake. Kjo pjesë e stafit, përveçse është joefikase, dekurajon edhe pjesën tjetër të stafit si shembull negativ i performancës në punë”, – deklaron ERRU, një nga institucionet kontrolluese të këtij sektori.

Për inxhinierin Pirro Ndreu, ish-drejtor i UK, Fier, tashmë në pension, tendenca për emërimet politike në këtë sektor ka ardhur në rritje nga viti në vit.

“Punësimet politike në UK kanë ardhur me tendencë në rritje, konkurse të thjeshta, formale, të cilat nuk është se rrjedhimisht do të afrojnë specialistët përkatës, por fatkeqësisht, atje ku specialistët zëvendësohen me militantë, bie shërbimi ndaj qytetarit”, – thotë ai.

“Konstatoj me keqardhje që në UK, Fier kanë rënë ndjeshëm orët e furnizimit me ujë për qytetarët”, – shton më tej ai, duke shpjeguar se si ndikon politika, kur i fut duart me pa të drejtë.

Largimet nga puna kanë shkaktuar një dëm prej afro 5 milionë lekësh të reja.

“Lidhur me gjyqet për largimet nga puna në total, nga viti 2015 janë 11 raste të ekzekutuara, që kanë një kosto mesatarisht 4,880,000 lekë”, – shprehet UK, Fier për INA MEDIA-n.

Ndërsa UK, Elbasan pranon se nga humbja e gjyqeve ka pasur një kosto të lartë financiare. “Në total janë 7 gjyqe të humbura për shkak të largimeve nga puna me kosto totale përafërsisht 6 milionë lekë”, – shprehet UK, Elbasan.

Nertila Qafzezi, ish-kryetare e Shoqatës së të Larguarve nga UK, shpjegon se fenomenet e largimit pa të drejtë nga puna ndodhin në të gjithë Ujësjellësit. Ajo sjell në vëmendje rastin e Tiranës, kur u shkarkuan 400 punonjës. Vetëm gjatë viteve 2015-2016 janë hapur 280 procese gjyqësore me objekt “Dëmshpërblim page”.

“Shkarkimet dhe emërimet në administratë, të pajustifikuara, të paarsyetuara ligjërisht, shpesh kanë sjellë dëm në buxhetin e shtetit, pasi gjykatat në të shumtën e rasteve i kanë argumentuar shkarkimet si të paligjshme. Gjithashtu, një kosto e madhe është edhe fillimi i trajnimit të çdo punonjësi të punësuar rishtas”, – shpjegon Qafzezi.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, shkon dhe më tej, duke i lidhur punësimet masive me fushatat elektorale. Sipas tij, dështimi i këtij sektori është i parashkruar, sa kohë që shihet si hambar votash.

“Natyrisht që ujësjellësit janë parë gjithmonë si hambarë punësimi, të gjitha SH.A., i dyfishojnë dhe i trefishojnë listë-pagesat. Është një formë e blerjes së votës, kështu që edhe në këtë rast çfarëdolloj forme të projektohet ky shërbim është i destinuar të dështojë. Rekrutimi i fryrë i organikës do të vijojë, mos-arkëtimet gjithashtu, për aq kohë sa këto komponentë do të vazhdojnë”, – argumenton Soko.

Sipas tij, aktualisht ujësjellësit ndodhen në prag falimentimi, për shkak të borxheve të larta që kanë ndaj OSHEE-së.

“Këto, ose duhet të menaxhohen tamam dhe të jenë eficiente, ose do të dështojnë. Mbi 80% e ujësjellësve janë debitorë tek OSHEE në nivele katastrofike. Një pjesë e mirë e ujësjellësve falimentojnë, nëse zbatohet në mënyrë rigoroze ligji, por mbahen në këmbë nga transfertat e bashkive”, – përfundon Soko./ Investigative Network Albania

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu