Lufta në Ukrainë dhe pandemia COVID kanë shtuar në Shqipëri nevojën për likuiditet parash dhe përdorim të kapitaleve.
Ekspertët dhe autoritetet kanë kthyer vëmendjen mbi tregjet e kapitaleve, të cilat ende janë burime të pashfrytëzuara.
Qarqet e biznesit diskutuan me zyrtarët për të reformuar tregun e kapitaleve, i cili ende vlerësohet si i prapambetur, por me potencial të madh për zhvillim.
Ekspertët e ekonomisë pohojnë se sistemi bankar i Shqipërisë është i qëndrueshëm, por tregu financiar jobankar dhe industria e sigurimeve nuk u zhvillua në 3 dekada.
Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, tha sot në një konferencë ndërkombëtare se zhvillimet gjeopolitike dhe pandemia shtuan më tej nevojën për likuiditet parash dhe përdorim të kapitaleve, duke nxjerrë në pah nevojën për një treg të zhvilluar kapitalesh.
Përveç emetimit të bonove apo obligacioneve shtetërore nga ana e Qeverisë, apo emetimit të obligacioneve me ofertë private, nevojiten edhe burime të tjera, tha ai.
“Një listim i mundshëm i disa kompanive me kapital shtetëror apo emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporativë. Gjithashtu, në anën e kërkesës, zhvillimi i mëtejshëm i investitorëve institucionalë, si fondet e investimit, fondet e pensioneve apo kompanitë e sigurimit do t’i jepte më shumë hov zhvillimit të tregut”
– tha zoti Mete.
Krizat e shumëllojshme vitet e fundit si tërmeti, pandemia Covid e deri tek lufta në Ukrainë nxorën në pah pafuqinë e tregjeve të kapitaleve, të cilat kanë në fakt një potencial të madh për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme.
Drejtuesi i kompanisë së Sigurimeve Sigal, Avni Ponari, thotë se Shqipëria është ndër vendet që nuk ka bursë, apo stock exchange, çka tregon një mungesë të madhe tregjesh dhe prapambetje, mes të tjerash edhe në fushën e sigurimeve dhe të pensioneve private.
“Sot në tregun e sigurimeve, për shembull, niveli është 30-40 euro për frymë, kur në tregjet e Europës janë 3-6 mijë euro për frymë. Kjo flet për një zhvillim shumë të vogël. Tregu i pensioneve është i ulët, sepse ende nuk është kuptuar domosdoshmëria e zhvillimit të kësaj industrie, që është shumë i rëndësishëm për pensionim shtetëror edhe privat, që në Shqipëri ende është vullnetar”
– tha zoti Ponari.
Dy vjet më parë ishte pandemia COIVD, që e futi ekonominë e Shqipërisë në recession, i cili u kapërcye vitin pasues.
Ndërsa sot reformimi i tregut të kapitaleve po synohet në kushtet kur lufta në Ukrainë solli rritje të çmimeve dhe të inflacionit.
“Sfidat aktuale janë të mëdha, sepse kjo krizë, që po fillojmë të ndjejmë, është një krizë e paprecedentë, është një krizë e rritjes së çmimeve, krizë e mungesës së ofertës së disa prej produkteve, e cila do të ndikojë në inflacionin në vijim dhe ne kemi detyrë që të reduktojmë efektet e kësaj krize”
– thotë Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Studiuesit vlerësojnë se zhvillimi i tregut të kapitaleve, krahas sistemit bankar, plotësojnë së bashku financimin e ekonomisë, duke thithur investime në tituj nga investitorë jashtë vendit nga diaspora shqiptare.
Shqipëria ka njëjtësuar ligjet mbi tregjet e kapitalit sipas kërkesave të BE-së, duke sjellë shumëllojshmëri në shërbimet e investimit, lidhje me tregjet globale, si dhe alternativa të reja investimesh./VOA