Policia e Shtetit në Shqipëri ka shpërndarë sot pamjet e një operacioni policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve në qarkun e Lezhës.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, pas informacioneve se ata po transportonin lëndë narkotike nga Kruja në drejtim të Fushë Mamurrasit.
Policia ka arrestuar shtetasit R. M., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe D. L., 44 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim shtetasin S. K., 24 vjeç, banues në Krujë.
“Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, në oborrin e banesës së shtetasit R. M., i cili do të blinte lëndën narkotike që e kishin transportuar nga Kruja, shtetasit D. L. dhe S. K. Ky i fundit ka mundur të largohet në momentin e ndërhyrjes së policisë”,
ka thënë policia.
“Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë kanabis sativa, 2 automjete, 2 aparate celulare dhe targa automjetesh”,
ka shtuar policia.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. M. do ta shiste lëndën narkotike në doza në qarkun e Lezhës, ka sqaruar policia, duke shtuar se nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.