Kategoria Superiore, rikthehet të mërkurën, pas ndërprerjes afro 3 mujore për shkak të pandemisë. Një nga sfidat më interesante të javës së 27-të është ajo mes Bylisit dhe Tiranës që do të zhvillohet në stadiumin “Adush Muça”.
Në lidhje me këtë përballje ka folur edhe talenti shkodran i Bylisit, Eridon Qardaku, i cili në një prononcim për “Supersport”, shprehet optimist dhe beson se skuadra e tij mund të dalë me kokën lartë nga kjo përballje. Ende pa mbushur 20 vjeç shkodrani konsiderohet si një investim i klubit dhe duket se sezoni i parë në elitë është vetëm fillimi për të.
“Kam parë perspektivën e ekipit këtë edicion. Është sezoni i parë në Superiore dhe vlen shumë për të fituar eksperiencë. Nuk jam i kënaqur me veten, por do synoj të shkoj aty ku dua unë dhe ekipi. Për çdo sportist nuk është e mirë kjo ndalesë.
Na ka ndalur hovin, por jemi stërvitur në kushte shtëpie. Kemi punuar dhe po mundohemi të shkojmë aty ku duhet. Këtë sezon kam provuar të luaj në të gjitha pozicionet në sulm, edhe si qendërsulmues, por pozicioni im natyral është sulmues i majtë. Megjithatë luaj ku të vendosë trajneri.
Çdo ndeshje luajmë për tre pikë dhe ndaj Tiranës nuk kemi presion. Luajmë futboll të pastër dhe shpresojmë të dalim me fitore. Janë shumë komponentë që na bëjnë të besojmë tek suksesi. Nuk na mungon asgjë që të marrim pikët e plota ndaj Tiranës”, u shpreh Qardaku.