Studentët më të mirë në universitetet shqiptare me mesatare 9 dhe 10 nuk kanë marrë prej më shumë se 4 muaj bursat, që u caktuan pas protestave studentore në 2018, ku studentët ekselentë jo vetëm u përjashtuan nga pagesa e tarifave të studimit por edhe u vendos të shpërbleheshin me fondin 10 mijë lekë çdo muaj.
Rexhina Pelivani, ka ardhur nga Berati me rezultate të shkëlqyera e po ndjek në kryeqytet degën e farmacisë në vitin e parë, por për punën e saj nuk është shpërblyer.
Për shkak të vonesave të pajustifikueshme nga institucionet e arsimit të lartë, pasi paratë u janë vënë në dispozicion nga Ministria e Financave, bordi kombëtar studentor vendosi datën 23 shkurt si afatin e fundit që universitetet të derdhin paratë në llogaritë e ekselentëve. Në të kundërt paralajmëruan protesta.
Pas kërkesës së studentëve, Universiteti i Tiranës reagoi në një deklaratë për shtyp se procesi i shpërndarjes është drejt përfundimit, ku shton se” Nga 6 fakultete që kemi, vetëm Fakulteti I Ekonomisë nuk I ka shpërndarë këto bursa, për shkak se ka një numër të madh përfituesish dhe është duke u bërë verifikimi i listës”. Më tej sqaron se fondi ka qenë vetëm për muajt tetor-nëntor dhe dhjetor.