Shtatë muaj pas fillimit të vitit akademik 2021-2022 nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kordinuar procesin e shpërndarjes së bursave.
Studentëve ende nuk u kanë kaluar paratë e prapambetura. Një problem të tillë e kanë hasur studentë të disa fakulteteve.
“Gjithmonë dalin shumë me vonesë, dalin diku nga data 10-12.”
Ata shprehen të shqetësuar pasi vlera prej 10 mijë lekësh i ndihmon ata të përballojnë shpenzimet e studimeve të larta.
“Po të mendosh një student në Tiranë që nuk është as në punë, ka nevojë për ato. Jetesa këtu sa vjen e rritet. Çmimet në stratosferë.”
“I ndihmon për jetesën këtu.”
“Studentët kanë nevojë të shpërblehen për arritjet e tyre akademike. Është pjesë vitale e jeteës studentore.”
Financa e Departamentit të Historisë dhe Filologjisë u shpreh se nuk ka pasur asnjë problematikë me shpërndarjen e bursave, por studentët pohojnë të kundërtën.
“Normale ka pasur kërkesë por asnjë përgjigje. Në muajin dhjetor është kërkuar intensivisht bursa por nuk kemi marrë përgjigje as në muajin janar.”
Pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme të studentëve për tu pajisur me tarifën mujore të bursës procedura për marrjen e saj mbetet problematike.