SKEMA/ Si vidheshin pronat e bregdetit nga zyrtarët përmes falsifikimit

0
Gjigandi

59 mijë e 889 metra katrorë tokë u sekuestruan nga Prokuroria e Vlorës, përgjatë bregdetit në jug, pasi dyshohet se janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.

Pronat për të cilat u vendos “Sekuestro Preventive” ndodhen në plazhin e Himarës, Dhërmiut dhe Gjilekës, ndërkohë që vlera e tyre shkon në shifrën e 8 milionë euro. Për tjetërsimin përmes falsifikimit të zonave më të lakmuara në bregdetin e jugut, u lëshuan 24 urdhër arreste nga të cilat u ekzekutan 6 masa sigurie “arrest me burg”, 8 masa “arrest shtëpie” dhe 8 masa “detyrim paraqitjeje”.

Dy të tjerë shpallën në kërkim.

Mes të akuzuarve është dhe ish-kreu i qarkut Vlorë, Anesti Dhimojani si dhe ish-funksionarë të tjerë publikë. Në kohën kur ishte kreu i Këshillit të Qarkut, Anesti Dhimojani i ka dhënë vetes 12 mijë m2 tokë, që kushton përafërsisht 1.5 milion euro. Nga hetimet e nisura kryesisht nga prokurori Arjan Xhaferraj, rezultoi se punonjësit e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në bashkëpunim me të akuzuarit e tjerë gjatë vitit 2020 e në vijim kanë nxjerrë nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë dokumenta origjinale si: Formularët nr.6 por dhe shumë të tjerë dhe më pas i kanë falsifikuar ato duke hequr nga dosjet dokumentet origjinalë. Dokumentet e falsifikuara më pas janë futur sërish në arkivë dhe më pas janë tërhequr e depozituar pranë Kadastrës për të marrë certifikata pronësie, pa dijeninë e pronarëve të vërtetë. I gjithë dokumentacioni për pronat në plazhin e Himarës dhe Dhërmiut ishte falsifikuar, pasi mbi to ka pasur ndërhyrje të dukshme si: korrigjime, fshirje të titujve të pronësisë por dhe mospërputhje të hapësirave të parcelave.

Kjo është faktuar edhe nga ekspertiza e Institutit të Policisë Shkencore në Tiranë.

Ish-zyrtarët e akuzuar kanë shtuar jashtë rubrikave dhe numrave rendorë persona të cilët janë trajtuar si pronar. Për të gjitha këto, ekspertiza shkencore ka përcaktuar falsifikimin e shkrimit. REVIEW ka mësuar se pas regjistrimit në format e mësipërme, të akuzuarit kanë kryer transaksione bankare dhe pikërisht për to, ndërkohë Prokuroria ka filluar hetimin pasuror për shitësit e këtyre pronave por edhe për blerësit (kujt i ka shkuar dhe kush i ka blerë këto prona). Prokuroria e Vlorës ka marrë nën hetim dhe pronarë të ligjshëm të këtyre zonave, pasi dyshohet se ata kanë marrë përsipër shtimin e metrave katrorë të pronave të tyre, duke bashkëpunuar me të akuzuarit.

Sipas ligjit, Juristët, specialistët pranë Këshillit të Qarkut duhet të kishin referuar në Prokurori ndërhyrjet evidente në regjistra, por asnjëherë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Një vit më parë në pranga për këtë çështje përfunduan, ish-drejtori i drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Bardhi Gjika, dhe specialisti i këtij institucioni Kreshnik Mino. Hetimet nisën pas grabitjes së një dosjeje pronash në këtë institucion, ku dhe u zbulua më pas skandali. Skandali me tjetërsimin e pronave në Vlorë është një prej dosjeve voluminoze e hetuar nga Prokuroria dhe me të pandehur disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë. REVIEW ka mësuar se vetëm prokurori Arjan Xhaferraj ka në dorë 15 dosje nën hetim për abuzimin dhe tjetërsimin e pronave në bregdet./euronews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu