Sportelet shtetërore janë mbyllur, por qytetarët po kanë vështirësi për të marrë online shërbimet. Portali “e-Albania” i administruar nga Agjencia e Kombëtare e Shoqërisë të Informacionit nuk po i përgjigjet kërkesave të përdoruesve.
Qytetarët shprehen se aplikacioni ka probleme. Ndërkohë që qytetarët thonë se shërbimet në faqen “e-Albania” nuk merren në kohë dhe aksesi është tepër i vështirë, Agjencia e Kombëtare e Shoqërisë të Informacionit e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, lidh seri kontratash tenderësh për shërbime mirëmbajte kompjuterike.
Vetëm për periudhën mars-prill të vitit 2022, kjo Agjenci ka dhënë 4 tenderë për mirëmbajtjen e sistemit në shumën 3.5 miliardë lekë.
Kështu, në tenderin e mbyllur në mars 2022 do të jepen rreth 800 milionë lekë të tjera për rikontrollin e disa standardeve ndërkombëtare ISO dhe auditimi për konformitet ndaj “eIDAS” për shërbimet e besuara. Fitues është shpallur “FIRST” sh.p.k.
Ndërsa në tenderin e mbyllur në fund të prillit do të jepen rreth 600 milion lekë për “Infosoft Systems” sh.p.k. dhe “I kub INFO” sh.p.k. për mirëmbajtjen e 209 shërbimeve elektronike në portalin “eAlbania”.
Po i njëjti bashkim operatorësh ka fituar në mes të marsit të këtij viti edhe tenderin për mirëmbajtjen e sistemit për dokumentet elektronike, duke ofruar gati 820 milionë lekë.
Për “rinovimin e mirëmbajtjes së sistemeve të sigurisë të implementuara pranë AKSHI-t” do të shpenzohen afro 1,3 miliardë lekë, apo mbi 1 milion euro. Tenderi i marsit të këtij është fituar nga “IMPACT” sh.p.k. Por, paratë e taksapaguesve shqiptarë që derdhen lumë nga AKSHI nuk i ka mjaftuar kësaj agjencie qeveritare për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
SHËRBIMET
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj shpjegoi pak kohë më parë lehtësitë që sjell kalimi nga sportelet fizikë në ato online për qytetarët.
“Të gjitha aplikimet që deri tani nuk dihej fare kur e merrje përgjigjen, do të jenë me nënshkrim elektronik ose vulë elektronike, por dhe do të monitorohen në kohë reale. Nga eksperienca e deritanishme dhe nga shifrat, ne flasim me shifra, pensionistët e kanë përdorur platformën ‘e-Albania’ shumë mirë. Në pandemi ishin përdoruesit kryesorë dhe rezervonin javët e tyre për dalje. Aplikimet për pensione arritën në 1.6 milionë përdorime të këtyre shërbimeve që bëhen nga moshat e treta, fermerët e moshuar gjithashtu që aplikojnë në ‘e-Albania'”
, u shpreh Karçanaj.