Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj është një prej atyre emrave që ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partisë.
Në një shënim në Facebook, Xhaferraj thekson se alternativa që PD paraqet nën lidershipin e tij qartazi nuk është e pëlqyer as nga baza e partisë, as nga votuesit e djathtë dhe as nga elektorati gri.
“Unë refuzoj të pranoj se Lulzim Basha nuk ka humbur asnjë garë. Po njësoj refuzoj të pranoj se PD është e ndarë ndërmjet Bashës dhe Berishës dhe s’ka opsion përtej tyre”, shkruan ai.
Sipas tij, themelet e një opozite të vërtetë, siç e meritojnë demokratët dhe më gjerë, hidhen duke dalë së pari nga kurthi i kultit të individit.
Ai thekson se grupi parlamentar i PD-së e ka kapacitetin dhe mbi të gjitha përgjegjësinë të prodhojë një lidership të ri që të nisë procesin e vështirë, por shpresëdhënës të ringritjes së partisë.
Ferdinand Xhaferraj: Mbrëmë, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, kam kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashes nga posti I Kryetarit të Partisë Demokratike. Alternativa që PD paraqet nën lidershipin e tij qartazi nuk është e pëlqyer as nga baza e partisë, as nga votuesit e djathtë, as nga elektorati gri. Unë refuzoj të pranoj se Lulzim Basha nuk ka humbur asnjë garë. Po njësoj refuzoj të pranoj se PD është e ndarë ndërmjet Bashës dhe Berishës dhe s’ka opsion përtej tyre. Themelet e një opozite të vërtetë, siç e meritojnë demokratë dhe më gjerë, hidhen duke dalë së pari nga kurthi i kultit të individit. Grupi Parlamentar i PD-së e ka kapacitetin dhe mbi të gjitha përgjegjësinë të prodhojë një lidership të ri që të nisë procesin e vështirë por shpresëdhënës të ringritjes së partisë.