Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka reaguar pas deklaratës së deputetit Bekim Haxhiu se në vitin 2021 janë realizuar rreth 20 mijë operacione më pak në institucionet publike të shëndetësisë në vend.
Sipas ShKSUK-së, gjatë vitit 2021 janë realizuar gjithsej 33 mijë e 666 operacione, gjë që sipas tyre, përbën rreth 7 mijë operacione më pak se në vitin 2019 (në kohën para pandemisë).
“Ndërsa krahasuar me vitin 2020 janë rreth 7,500 operacione më shumë në vitin 2021”,
thuhet në një komunikatë për medie nga ana e ShSKUK-së.
Po ashtu, në reagim thuhet se Kosova gjatë vitit 2021 është përballur me 2 valët më të ashpra të pandemisë COVID-19.
“Kështu, krahas menaxhimit me sukses të pandemisë COVID-19, ShSKUK ka arritur që gjatë vitit 2021 të realizojë numër të konsiderueshëm të intervenimeve kirurgjikale. Poashtu, kryerja e operacioneve të natyrës urgjente, emergjente dhe rastet me sëmundje të rënda (tumoret) nuk është ndërprerë në asnjë fazë të pandemisë”,
thuhet në komunikatë.