Udhëheqësit më të lartë shtetërorë dhe politikë të Shqipërisë dënuan të enjten sulmin e Rusisë mbi Ukrainën.
Ata theksuan se Shqipëria është përkrah popullit të Ukrainës dhe u bashkohet aleatëve në NATO dhe Bashkimin Europian në dënimin e fuqishëm të agresionit rus.
Presidenti Ilir Meta deklaroi se
“Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm”.
Ai theksoi se “Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët”.
Zoti Meta ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas sulmit rus mbi Ukrainën, që është mbledhja e dytë brenda pak ditësh për këtë çështje.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaroi se
“Shqipëria është krah NATO-s dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës dhe dënon me ashpërsi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, një vend sovran”.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se
“Shqipëria gjendet pranë popullit të Ukrainës dhe u bashkohet aleatëve në NATO dhe Bashkimin Europian në dënimin e fuqishëm të agresionit”.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi gjatë një fjalimi në Kuvend, se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një sulm ndaj paqes dhe sigurisë në Europë dhe në botë, si dhe një shkelje flagrante e marrëveshjeve dhe të drejtës Ndërkombëtare dhe e Kartës së OKB-së.
“Sulmi për pushtimin e Ukrainës nga Rusia kërkon t’i imponojë botës parimin e forcës. Kjo është absolutisht e papranueshme. Shqipëria mbështet me vendosmëri pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon aktin e agresionit rus dhe e konsideron atë jo vetëm një akt kundër Ukrainës, por dhe kundër themeleve të rendit dhe sigurisë ndërkombëtare”
– deklaroi ministrja Xhaçka.
Ajo theksoi se Shqipëria po vazhdon të koordinohet me vendet aleate në kuadër të NATO-s dhe OSBE-së, dhe në dialog me Bashkimin Europian, për një reagim të bashkërenduar që do të përfshirjë sanksione të rënda kundër Rusisë, sepse sulmi ndaj sigurisë europiane që u bë flagrant sot, e bën edhe më të domosdoshëm një front të bashkuar në mbrojtje të parimeve themelore.
“U jemi bashkuar sanksioneve ekonomike që BE ka vendosur ndaj Rusisë, duke marrë mbi vete edhe sanksionet që Rusia ka vendosur si reagim. Dje vendosëm t’i bashkohemi deklaratës së Bashkimit Europian që dënoi fuqishëm vendimin e Rusisë për të njohur rajonet e Donetsk dhe Luhansk, si entitete të pavarura dhe vendimin, që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona – deklaratë që përcaktoi se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë. Ne do të bashkohemi dhe me këto sanksione
” – deklaroi zonja Xhaçka.
Ministrja e jashtme shqiptare tha se orientimi euro-atlantik i Shqipërisë është i palëkundur dhe se si një vend anëtar i NATO-s ka edhe më shumë përgjegjësi për ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor e më gjerë.
Ajo shtoi se prej kohësh dhe vazhdimisht Shqipëria ka shprehur shqetësimin për ndikimin destabilizues rus në rajon dhe nevojën për t’iu kundërvënë, si dhe ka mbajtur një qëndrim të hapur dhe të qartë ndaj politikës ruse në rajon dhe më gjerë, i cili përputhet me atë të ShBA dhe BE.
Po sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu gjatë fjalës në Kuvend “
dënimin më të ashpër të agresionit rus kundër sovranitetit, lirisë dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
Zoti Basha tha se ky është akti i plotë dhe i një pushtimi të mirëfilltë të një vendi sovran dhe të lirë nga një vend tjetër në thyerje të parimeve bazë të rendit ndërkombëtar.
“Në emër të Partisë Demokratike, të opozitës dhe të çdo shqiptari, dënoj me forcë agresionin rus, mbështesim një reagim të shpejtë dhe të vendosur të paekuivok të OKB-së, të NATO-s dhe të BE-së dhe qëndrojmë me solidaritet dhe mbështetje të qytetarëve ukrainas, jetët e të cilëve ndodhen në rrezik për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë nën drejtimin e Vladimir Putin
” – deklaroi zoti Basha.