Numri i aksidenteve dhe i fataliteteve në Shqipëri përgjatë katër muajve të parë të këtij viti shënoi rënie.
Instituti i statistikave INSTAT publikoi sot raportin mbi aksidentet rrugore, sipas të cilit në muajin prill 2022 numërohen 92 aksidente rrugore nga 104 aksidente të ndodhura në muajin prill 2021, duke u ulur me 11.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë në 4-mujorin e parë të vitit 2022, numërohen 377 aksidente rrugore nga 427 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 11.7 për qind.
Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) gjatë muajit prill është 132 persona nga 145 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë.
Ndërsa në 4-mujorin e parë të vitit 2022, numri i të aksidentuarve është 524 persona nga 563 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporton INSTAT.
INSTAT raporton se numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 10 persona, nga 12 persona të vdekur në prill 2021, ndërsa në katër muajt e parë të vitit 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 56 persona, nga 70 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Referuar INSTAT-it, në shumicën e rasteve, shkak për aksidentet është sjellja e shoferëve.
/abc24.al/