Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Varshavë, Poloni, ku do të jetë pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkëorganizuar nga kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, në partneritet me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.
Konferenca do të diskutojë masa konkrete për t’ju përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim. Në përgjigje të rritjes së shpejtë të nevojave, OKB-ja ka ngritur strukturat e posaçme për të hyrë në zonat më të goditura në ndihmë për shpëtimin e jetëve, duke vendosur ekspertë, për koordinimin, angazhimin e komunitetit, mbrojtjen dhe menaxhimin e informacionit. Ndërkohë, që kërkohet më tepër nga komuniteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur intensitetit të këtyre nevojave.
Edhe Shqipëria do të radhitet përkrah vendeve kontribuuese, angazhim të cilin kryeministri Edi Rama do ta shprehë gjatë kësaj konference.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet gjithashtu konferencës përmes një video-mesazhi.