Shqipëri, numër në rritje i fëmijëve me autizëm

0
Shqipëri, numër në rritje i fëmijëve me autizëm
Gjigandi

Në Shqipëri po shtohet numri i fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit. Sipas të dhënave zyrtare, ata përbëjnë rreth 26% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Psikologët pohojne se një pjesë e tyre nuk arrijnë të diagnostikohen dhe trajtohen për shkak të mentalitetit të prindërve, ndërsa në shkolla kanë vështirësi të integrohen për mungesë të mësuesve të kualifikuar dhe programeve individuale.

Rritja, nga viti në vit, i numrit të personave me autizëm, veçanërisht fëmijëve, ka shqetësuar psikologët, të cilët shprehen për nevojën e një diagnostikimi dhe trajtimi të hershëm të tyre. Sipas të dhënave zyrtare, thotë psikologia Megi Lazri, në Shqipëri, nga viti në vit, regjistrohet një rritje prej 30-40% e rasteve me autizëm.

“Shikojmë që, numri i fëmijëve që drejtohen për të kërkuar trajtim, është më i lartë se i fëmijëve që i përkasin çrrregullimeve të spektrit autik, në ndryshim nga çrregullimet apo vështirësitë e tjera që ne kemi aktualisht”,

tha ajo për Zërin e Amerikës.

RonaTyra

Autizmi është njohur dhe ka nisur të trajtohet vonë në Shqipëri, vetëm në fillim të viteve 2000. Tani, në çdo brez fëmijësh që lindin, evidentohen 300 raste me çrregullime të spektrit autik. Ky numër, sipas psikologes klinike Erodita Shazi, duhet të jetë edhe më i madh, pasi, për shkak të mentalitetit, ka prindër që nuk pranojnë diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijës, apo e kanë të vështirë të pranojnë faktin se fëmija i tyre është me autizëm.

“Kemi familje me probleme sociale. Ka raste kur nëna e pranon, kërkon ndihmë, por babai nuk don me e pranu dhe fëmija mbetet pa e marrë shërbimin. Dhe kjo është një fatkeqësi”.

Me shtimin e rasteve, vitet e fundit janë bërë përpjekje për hapjen e qendrave të trajtimit të fëmijëve autikë, por edhe të klinikave të trajtimit psikologjik të tyre. Megjithatë, thotë psikologia Shazi, problematike mbetet situata në arsim, ku fëmijët me autizëm e kanë të vështirë të integrohen, pasi kërkohen mësues të kualifikuar dhe programe individuale, në përputhje me nevojat që ata kanë.

“Është shumë problematike, duke filluar që nga përfshirja në shkolla, ku ofrohet mësuesi mbështetës, por ai nuk është i kualifikuar për të dhënë shërbimin mbështetës për fëmijët me probleme. Po ashtu, edhe klasat nuk janë të përshtatshme për ta, për shkak se klasat janë me shumë punime të fëmijëve, me shkronja, numra, që e rrisin shpërqëndrimin e tyre në klasë”.

Periudha e gjatë e pandemisë dhe masat kufizuese ishin një tjetër pengesë për trajtimin në kohë të fëmijëve me shenjat e çrregullimit të spektrit autik. Kjo ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e tyre duke rrezikuar edhe vazhdimin e mëtejshëm me terapinë përkatëse.

Fëmijët me probleme të çrregullimit të spektrit autik përbëjnë rreth 26% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve me aftësi të kufizuar në Shqipëri, tregues ky që dëshmon nevojën për investim më të madh në kujdesin për këta fëmijë./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu