Shkoi për të vrarë me armë ish-bashkëshorten, zbulohet e shkuara e Kleo Hysit nga Saranda

0
156
Gjigandi

Një krim brenda familjes është parandaluar në Sarandë, pasi një 34-vjeçar ka tentuar t’i marrë jetën ish-bashkëshortes.

Shtetasi Kleo Hysi u kap në flagrancë me pistoletën me fishek në fole, ku dhe ishte nisur nga fshati Kalivaç i Tepelenës për të ekzekutuar me armë ish-bashkëshorten e tij me iniciale F.Ç. dhe bashkëjetuesin e saj Isuf Jaçaj.

Mësohet se Hysi ka një të shkuar kriminale, pasi në vitin 2020 kishte grabitur një të moshuar, ku dhe e ka dhunuar 91-vjeçarin Dhimitër Papa duke i grabitur 20 mijë lekë të reja dhe një armë gjahu “Baikal” ruse, me kalibër 12 mm.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Shërbimet e Policisë parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Marrja në kohë reale e informacionit dhe reagimi profesional dhe i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë, parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kërcënoi se do të vriste ish-bashkëshorten e tij dhe bashkëjetuesin e saj, me armë zjarri, vihet në pranga 34-vjeçari, në kuadër të operacionit policor të koduar “On time”. Në pranga dhe një shtetas tjetër (bashkëjetuesi), pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, me fishekë në fole dhe përforcuesi i grushtit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi kanë marrë njoftim se në lagjen nr.4, Sarandë, shtetasi K. H. kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F. C., 31 vjeçe dhe bashkëjetuesin e saj, shtetasin I. J, të cilët i kërcënonte se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “On time”. Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasin K. H., 34 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje. Po gjatë këtij operacioni, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. J., 55 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (përforcues grushti).

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale ” Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K. H, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I. J.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu