Babë e bir janë lënë në burg nga Gjykata e Shkodrës pasi ranë në prangat e policisë në kuadër të operacionit ‘Qarku’.
Petrit Kubazi dhe djali i tij Gledis Kubazi u arrestuan nga policia e Shkodrës për shkak se iu gjetën në banesë armë, mina me telekomandë dhe disa municione të tjera luftarake. Gjithashtu do të hetohet në gjendje të lirë Gerald Kubazi, 16 vjeç.
Burime për mediat bëjnë me dije se në seancën për masën e sigurisë, Petrit Kubazi deklaroi se nuk ka pasur dijeni për municionin e armëve që policia gjeti në banesën e tyre. Ai shtoi se dy armën e gjahur janë me leje ndërsa theksoi se për pjesën tjetër të armëve e ka marrë vesh në komisariat.
“Unë nuk e kam ditur aspak se ato armë dhe municioni ndodhej në banesën time. Vetëm kur kam ardhur në komisariat kam pyetur djalin dhe ai më ka thënë se i kishte gjetur një natë më përpara në një vend por nuk ka pasur kohë të më tregojë sepse nuk jemi takuar dhe të nesërmen në mëngjes erdhi policia.
Arma e gjahut shotgun atë e kam me leje sepse unë jam gjuetar ndërsa arma tjetër sportive edhe ajo është me leje dhe është e një të njohuri. Sa i përket pjesës tjetër të armatimit nuk kam pasur asnjë ide se janë në banesën time. Radiot që janë gjetur ato ka tre vite që i kam sepse blihen kudo në internet dhe i kam përdorur për gjueti për të komunikuar. Unë kam punuar gjithë jetën time dhe më pëlqen gjuetia ndaj nuk kam asnjë lidhje me municionet” deklaroi ai.
Ndërkohë djali i tij, Gledis Kubazi, 20 vjeç deklaroi përpara gjykatës së tre minat me telekomanda të lidhura me telefon, tetë kallepët e tritolit C4, kapsollat detonatore si dhe 50 fishekët deklaroi në sallën e gjyqit se i kishte gjetur një natë më përpara por, pa e ditur se çfarë janë.
“I kam gjetur rastësisht një natë më përpara por nuk ia kam vënë rëndësinë dhe nuk e kam ditur se çfarë janë konkretisht sepse nuk i njoh. I kam marrë pa e ditur se çfarë ishin dhe kam dashur që ta pyes babain se çfarë janë por nuk kam pasur kohë të flas me të sepse të nesërmen erdhi policia dhe nuk arrita që të komunikoj me babain”, mësohet të ketë thënë 20 vjeçari.