Një shtëpi kukullash ishte e vetmja që i mbijetoi fadromave të IMT-së në zonën e 5 majit.
Të martën 12 shtëpi të tjera u kthyen në gërmadha duke lënë pa strehë fëmijë e të rritur.
Simon Nikolli ndihet i zhgënjyer dhe i pashpresë teksa sheh banesën ku ka jetuar prej 30 vitesh të shndërruar në një mal inertesh.
“I kam pasur por nuk I kam më. Me hipotekë tokë e shtëpi. Tani nuk i kam më. Në 2016 Edi Rama ma dha lejen e legalizimit tek Pallati I Sportit e më tha ti gëzofsh”
Në orët e para të mëngjesit policia blindoi gjithë zonën.
Gratë banore të shtëpive, të kapura krah për krahë nuk ja dolën të pengonin efektivët.
Aksioni për shembjen e shtëpive u shoqërua me përplasje të forta mes banorëve që refuzuan të braktisnin shtëpitë dhe efektivëve që ishin të shumtë në numër.
Për të shuar rezistencën policia nuk kurseu gazin lotsjellës.
Katër banorë të cilët kundërshtuan t`i hapnin rrugë fadromave u shoqëruan me forcë në drejtim të komisariateve.
Policia e Tiranës njoftoi se nga rezistenca e banorëve të zonës, u plagosen pesë efektiva të rendit dhe tre të policisë bashkiake.
“Më mirë të më vrasnin, unë i vrarë jam”
Mes shtëpive që u shembën kishte edhe nga ato që ishin me dokumentacion të rregullt pronësie.
Në krah të protestuesve ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike Alfred Rushaj, por banorët thanë se opozita nuk ka arritur ta mbrojë kauzën e tyre.
Aksioni për shembjen e banesave që preken nga projekti i rindërtimit do të vijojë ndërsa shumë prej banorëve nuk kanë firmosur ende një marrëveshje me Bashkinë Tiranë pasi e konsiderojnë atë të njëanshme dhe të paqartë.