Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi katër urdhëra ekzekutivë për të ulur çmimet e barnave në vend. “Katër urdhërat që po i nënshkruaj sot do të rikonstruktojnë tërësisht tregun farmaceutik”, tha Trump, që kishte kritikuar në vazhdimësi çmimet tejet të larta të barnave.
Ky vendim mundëson edhe importin e barnave më të lira nga vendet tjera. Analistët e kanë kritikuar këtë vendim duke theksuar se nuk do të ketë shumë efekt. Që kur Trump kishte marrë mandatin ai kishte kritikuar çmimet e larta në tregun farmaceutik dhe kishte paralajmëruar hapa radikalë për të ulur çmimet.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen në nëntor të këtij viti. Kritikët kanë theksuar se këto vendime vështirë se mund të hyjnë në fuqi deri në atë kohë. Shtetet e Bashkuara janë duke u përballur me një numër të madh të të infektuarve nga koronavirusi i ri. Deri më tani janë raportuar mbi 4 milionë raste dhe mbi 145 mijë viktima.
Burimi: top-channel.tv