1.3 milionë të papunë të tjerë amerikanë aplikuan për të përfituar kompensim financiar javën e kaluar, raportoi të enjten Departamenti i Punës. Kjo është shenja më e fundit se punëdhënësit janë akoma duke u përballur me kohëra të vështira, ndërsa numri i rasteve të koronavirusit vazhdon të rritet.
Kjo është realisht java e 16-të rrjesht që numri i kërkesave për asistencë ka rënë nga niveli i lartë një-javor prej 6.9 milionësh në mars. Megjithatë, mesatarja e katër javëve të fundit, në më shumë se 1.4 milionë aplikime në javë, mbetet më e larta historikisht. Në total, qeveria tha se rreth 18 milionë punëtorë mbeten të papunë edhe pasi miliona prej tyre janë rikthyer në vendet e punës. Një total prej 49,7 milionë punëtorësh kanë përfituar asistencë financiare gjatë katër muajve të fundit.
Shifrat e aplikimeve që nga mesi i marsit kanë qenë tronditëse, duke kapërcyer lehtësisht 695’000 në një javë, që ishte rekordi i vendosur në vitin 1982. Departamenti i Punës i Shteteve të Bashkuara thotë se rreth 20 milionë punëtorë të pushuar nga puna kanë vazhduar të marrin asistencën e papunësisë në javët e fundit, një shifër që u lehtësua pak javën e kaluar. Por ky është një total që sugjeron se punësimet e reja, ose rikthimi i punëtorëve në vendet e tyre të punës, mezi ka kompensuar shkarkimet e vazhdueshme.
Miliona të papunë janë rikthyer në punë, por ata që kanë mbetur ende pa punë po përballen me vështirësi të reja financiare, ndërkohë që në fund të korrikut skadon rritja prej 600 dollarësh në javë të qeverisë federale që iu shtua përfitimeve për papunësinë të ofruara nga shtetet amerikane. Për më tepër, ekspertët e ekonomisë thonë se punëdhënësit kanë shkurtuar miliona vende pune, duke mos u lënë punëtorëve të dikurshëm hapësirën për tu rikthyer, ose i kanë mbyllur përgjithmonë bizneset e tyre.
Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi po shqyrtojnë se çfarë ndihme shtesë mund të jepet nga qeveria federale për punonjësit e shkarkuar, por asnjë vendim nuk ka të ngjarë të jetë marrë para fundit të korrikut. Ekziston sidoqoftë mundësia për fonde shtesë për të nxitur ekonominë amerikane, por ato fonde mund të shkojnë për bizneset ose qeveritë e shteteve dhe ato lokale, dhe jo drejtpërdrejt te tatimpaguesit ose të papunët.
Presidenti Donald Trump ka thënë se mbështet një raund tjetër prej 1’200 dollarësh pagesash stimuluese për shumicën e taksapaguesve, megjithëse disa nga kolegët e tij republikanë kanë shprehur shqetësime për borxhin kombëtar gjithnjë në rritje të vendit që tani arrin në më shumë se 26 trilionë dollarë. Një propozim tjetër parashikon dërgimin e parave për njerëzit që kthehen në punët e tyre, si një nxitje për t’i detyruar ata të ndalin marrjen e asistencës për papunësinë.
Zyrtarët kryesorë të ekonomisë amerikane parashikojnë që rikuperimi i plotë i vendit nga pandemia do të zgjasë për një periudhë të gjatë, duke u shtrirë deri madje në vitin 2021. Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell tha një javë më parë se perspektiva afatshkurtër për ekonominë e Shteteve të Bashkuara, ekonomia më e madhe në botë, mbetet “jashtëzakonisht e pasigurt”. Ai tha se rimëkëmbja varet kryesisht nga vendosja nën kontroll e pandemisë, por më shumë se 50’000 raste të reja të koronavirusit në ditë janë regjistruar në Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve të fundit, me një rekord të ri prej më shumë se 62’000 të mërkurën.
Pjesa jugore e Shteteve të Bashkuara që i kishte shpëtuar goditjes fillestare të pandemisë në muajin mars dhe prill, është goditur tashmë më shumë. Guvernatorët e tyre rihapën bizneset, disa thonë shumë më herët se ç’duhej, dhe të rinjtë filluan të shoqërohen përsëri në publik në bare dhe restorante, pa ushtruar praktika të tilla të sigurta si veshja e një maske për fytyrën ose duke u distancuar fizikisht me të paktën dy metra nga të tjerët.
Byroja e Statistikave të Punës tha se javën e kaluar niveli i papunësisë në vend u përmirësua në 11.1% në qershor, krahasuar me shifrën zyrtare të majit prej 13.3%. Por shifra e qershorit u përpilua në mes të muajit, përpara rritjes së rasteve të reja të koronavirusit. Rezerva Federale ka parashikuar që papunësia në Shtetet e Bashkuara do të bjerë në 9.3% deri në fund të këtij viti dhe në 6.5% deri në fund të vitit 2021, një progres më i mirë se sa parashikojnë disa ekonomistë.
Numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi tani ka arritur në 132’000, shumë më tepër se çdo vend tjetër i botës, dhe ekspertët e shëndetit parashikojnë se dhjetëra mijëra të tjerë do të vdesin në muajt e ardhshëm./VOA
Burimi: top-channel.tv