Në pranga ka rënë shtetasi Dritan Hallkokondi.
Port Durrës
Goditet një tjetër rast i tentativës për futjen në Shqipëri, të një shume të madhe parash në euro dhe në paund, që dyshohet se janë përfituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shuma”, falë inteligjencës informative të siguruar nga strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Operacioni, nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Operacioni, në vazhdën e operacioneve të tjera të zhvilluara muajt e fundit, për goditjen e tentativës për futjen në Shqipëri, të shumave të mëdha të parave në euro e paund dhe të tentativave për të futur kontrabandë naftë dhe mallrat të tjera për të cilat paguhet akcizë.
Sekuestrohen 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik.
Ky është rasti i 5-të i tentativës për futjen e shumave të mëdha të parave të padeklaruara, i goditur nga Policia e Shtetit, gjatë muajve të fundit.
Vihet në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte paratë dhe tentoi t’i fuste ato në Shqipëri, nëpërmjet portit të Durrësit, pa i deklaruar.
Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në portin e Durrësit, falë inteligjencës informative për një shtetas që po tentonte të fuste në Shqipëri një shumë të madhe parash në euro dhe në paund, kanë organizuar punën me qëllim goditjen e këtij rasti.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit.
Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.