Drejtuesit e Bashkimit Evropian dështuan edhe të dielën të arrijnë një marrëveshje mbi një paketë të rimëkëmbjes ekonomike.
Negociatat u zgjatën sërish duke u shtyrë për ditën e sotme. Kancelarja Angela Merkel dha një dritë shprese më deklaratën e saj se janë bërë hapa përpara dhe se marrëveshja është e mundur. Por tensionet në takim, kanë qenë të larta. Në një prej momenteve më të forta ishte ai kur siç thuhet, presidenti francez Emmanuel Macron i është kthyer keq kancelarit austrial Sebastian Kurz, i cili kishte dalë nga mbledhja për t’iu përgjigjur një telefonate.
“E shikoni? Nuk na dëgjon, nuk i intereson”, tha Macron për kryeministrin e Autrisë. Shefi i Elizesë është përplasur edhe me kreun e ekzekutivit holandez, Mark Rutte, i cili është kthyer në kundërshtarin kryesor të propozimit të granteve.
Duke e akuzuar për obstruksionizëm, Macron i tha se po merr vendin e Britanisë së Madhe në tryezën e përbashkët. Kryesuesi i samitit, Charles Michel, u tha 27 udhëheqësve të bllokut se më shumë se 600,000 njerëz kanë vdekur si rezultat i koronavirusit në të gjithë botën, dhe se ishte përgjegjësia e tyre të qëndrojnë së bashku në këtë kohë krize. Ai hodhi idenë e një fondi prej 390 miliardë euro në formë grantesh, një shifër kjo e cila është më e ulët se 500 miliardë eurot e propozuara nga Franca, Gjermania dhe Komisioni Evropian.
Në formën aktuale, plani parashikon edhe 250 miliardë euro kredi. Shtetet me kursimtare si Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, duan kontroll mbi mënyrën e shpërndarjes së parave, ndërsa shtetet e jugut, si Italia dhe Spanja, pretendojnë se një gjë e tillë do ta bllokonte procesin.
Burimi: top-channel.tv