Policia Rrugore në Fier ka bërë bilancin e javës së fundit.
Me anë të një njoftimi në rrjete sociale, Uniformat blu bëjnë me dije se janë arrestuar në flagrancë 2 shoferë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 të tjerë për drejtim mjeti pa patentë.
Gjithashtu në njoftim thuhet se janë pezulluar 124 patenta, nga të cilat 121 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 3 për drejtim të mjetit, nën ndikimin e alkoolit.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore vijon kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore të qarkut Fier, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Kontrollet e shtuara kanë për qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore angazhohen çdo ditë, në akset rrugore në afërsi të shkollave, me qëllim normalizimin e trafikut dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore.
Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore, nisur dhe nga denoncimet e qytetarëve, për shkelje të ndryshme rrugore:
- janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
- janë pezulluar 124 leje drejtimi, nga të cilat 121 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 3 për drejtim të mjetit, nën ndikimin e alkoolit.
Policia Rrugore e Fierit apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin e mjetit, nën efektin e alkoolit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë.