Dëshira e Ankarasë për të zgjeruar zonat e saj detare i ka rritur sërish tensionet me Greqinë.
Operacionet turke për të nxjerrë naftë dhe gaz në pjesën përpara Qipros dhe ishullit grek të Kretës kanë nisur në vitin 2019 dhe pritet të vazhdojnë në fund të verës. Por sa legjitime janë pretendimet turke? Për dekada të tëra Ankaraja e ka halë në sy faktin që ishujt e shumtë grekë në brigjet e Egjeut nuk i lejojnë asaj të krijojë një Zonë Ekonomike Ekskluzive të rëndësishme.
Në një intervistë për gazetën “Süddeutsche Zeitung” ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu e quajti kohët e fundit “të papranueshëm” faktin që ishulli i vogël grek i Kastelorizos, i cili gjendet më shumë se 500 kilometra larg Athinës dhe jo larg brigjeve të Turqisë të ketë si pretendim një sipërfaqeje prej 200 miljesh detare në çdo drejtim.
Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Detare të vitit 1982, një pretendim i tillë është i justifikuar, thotë profesorja Nele Matz-Lück, drejtore e Institutit Walther-Schücking për të Drejtën Ndërkombëtare pranë Universitetit të Kielit, e cituar nga DW. Ajo i referohet Francës, e cila me disa ishuj të vegjël në Jug të oqeanit Paqësor dhe në Detin Polar Jugor pretendon zona të mëdha përkatëse prej 200 miljesh detare të detit përreth. Sidoqoftë, nëse kjo zonë mbivendoset me atë të një shteti tjetër, atëherë shtetet në fjalë duhet të bien dakord për rrjedhën e kufirit në përputhje me Konventën Ndërkombëtare të së Drejtës Detare.
Gjykatat ndërkombëtare në raste të tilla gjykojnë mbi bazën e aspektit të “drejtësisë apo barazisë”, thotë prof. Matz-Lück. Një këndvështrim i tillë do të duhej të zbatohej edhe për ishujt e vegjël grekë në brigjet turke, mendon ekspertja e së drejtës detare.
Burimi: top-channel.tv