Cristiano Ronaldo ka bërë një falënderim për tifozët e Liverpoolit në rrjete sociale, të cilët kënduan “You’ll Never Walk Alone” në minutën e shtatë të lojës së tyre kundër Manchester United të martën.
Ronaldo mungoi në ndeshjen në Anfield pas vdekjes së djalit të tij të porsalindur dhe mbështetësit e Liverpoolit dhe Unitedit u bënë bashkë për një duartrokitje në minutën e shtatë – numrin e Ronaldos – si një simbol i përkrahjes për heroin e Old Trafford.
“Një botë, një sport, një familje. Faleminderit, Anfield. Unë dhe familja ime nuk do ta harrojmë kurrë këtë moment respekti dhe dhembshurie”, ka shkruar Ronaldo në Instagram krahas një videoje.
Cristiano Ronaldo (Foto: Instagram)
Ai është kthyer në stërvitjen e Unitedit të mërkurën dhe u fotografua duke arritur në bazën e tyre, Carrington, të enjten – ditën kur Manchester konfirmoi Erik ten Hag si menaxherin e tyre të ri.
Ronaldo dhe partnerja e tij, Georgina Rodriguez, njoftuan në tetor se ishin në pritje të binjakëve.
Vajza e tyre ka lindur shëndosh e mirë, ndonëse mjekët nuk kanë arritur ta shpëtojnë edhe foshnjën tjetër të gjinisë mashkullore.
“Me pikëllim të madh ju njoftojmë se djali jonë i vogël ka ndërruar jetë. Është dhimbja më e madhe që mund ta ndjejë secili prind. Vetëm lindja e vajzës sonë na jep forcë ta tejkalojmë këtë moment me pakëz shpresë dhe lumturi”, kishte thënë ylli i futbollit.
Krahas foshnjës së porsalindur, Ronaldo është baba edhe i katër fëmijëve: Cristiano Jr., binjakët Eva dhe Mateo, të lindur me nëna surrogate. Nga lidhja me Georgina Rodriguez ka vajzën Alana Martina.
/abc24.al/