Rihapen llogaritë e Ilir Metës me drejtësinë, SPAK nis hetimet për lobimin 700 mijë USD me para të dyshimta dhe të padeklaruara

0
17
Gjigandi

Janë rihapur më në fund llogaritë e Ilir Metës me drejtësinë. 12 vite pas mbylljes së video-skandalit me Dritan Priftin në Gjykatën e Lartë, aferë për të cilën prokuroria kërkoi dy vite burg për korrupsion, Ilir Meta është zyrtarisht nën hetim nga SPAK, këtë herë për pastrim parash me kontrata lobimi, fshehje të shpenzimeve financiare të partisë, mashtrim në KQZ etj. SPAK ka regjistruar procedimin penal pa emër pas kallëzimit të referuar nga ish deputeti Halit Valteri ndaj Ilir Metën për lobim me paratë e korrupsionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kallëzimi penal nga Valteri ishte rrjedhojë i investigimit të gazetës më të madhe austriake, “Kronen Zeitung”, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.

Ish deputeti, krahas artikullit të gazetës, ka pohuar se ka prova shtesë që ia ka sjellë një gazetar i huaj, ku përfshihen fatura dhe kontrata, që konfirmojnë lotimin nga Ilir Meta me para të pajustifikuara kur ishte kryetar i LSI-së.

Mësohet se disa ditë pas referimit, kallëzimi penal është regjistruar në regjistrin e veprave penale, por pa një emër konkret të cilit i atribuohet vepra penale e dyshuar. Ilir Meta është me imunitet presidencial deri në 24 korrik të këtij vitit, kur i mbaron mandati, ndërsa mbetet për t’u parë në vijim nëse hetimet do të devijohen apo do të përfshijnë Metën, duke e veshur me përgjegjësi penale.

Konfirmohet lobimi 700 mijë USD

Disa dokumente të publikuara në media kanë konfirmuar vërtetësinë e artikullit të botuar disa ditë më parë nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, e cila denoncoi Ilir Metën dhe LSI-në se ka paguar 700 mijë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump, në vitin 2017. Dokumentet e dorëzuara në autoritetet amerikane komprometojnë rëndë Ilir Metën dhe LSI-në. Kontratat konfirmojnë se Ilir Meta, në fillim të vitit 2017, ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.

Po ku i gjeti Ilir Meta paratë për të kryer pagesat në janar-shkurt 2017 për kompaninë McKeon Group dhe 600 mijë euro për kompaninë “Dorelita Limited”?

A i ka deklaruar Meta këto para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive?

Ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar për vitin 2017, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, LSI ka raportuar shpenzime për konsulencë dhe lobim në vlerën 3.3 milionë lekë. Konkretisht, LSI ka deklaruar në KQZ shpenzime konsulencë në vlerën 1,414,465 lekë me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA. Gjithashtu, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulence me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me anë të një raporti, ka konstatuar se LSI nuk justifikon me burime të ligjshme të ardhurash as kontratën e dytë, atë me kompaninë MCKEON GROUP, me vlerë 1.9 milionë lekë./shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu