Radhët e gjata për skaner në QSUNT sjellin kaos dhe korrupsion

0
Gjigandi

Nga Armand Kullau

Policia e Tiranës ka arrestuar dy mjekë të QSUNT pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin merrnin ryshfet për skanerat, por problemi me radhët e gjatë të pacientëve për skaner akoma nuk ka marrë zgjidhje nga Ministria e Shëndetësisë.

Mungesa e skanerave për të zgjidhur në kohë reale shërbimin për pacientët po komplikohet dhe nga mungesa e mjekëve. Inflacioni ka kapur nivele rekord në vend ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka rritur rrogat e mjekëve dhe infiermierve në nivelin e duhur, por ndërkohë rritet presioni ndaj tyre me operacione policie që i ngjasojnë arrestimeve të kokave të kartelit në Meksikë nga Forcat Speciale.

Sa herë që në vend ka skandale në politikë, kemi arrestime të bujshme, ku ndër to nuk janë kursyer as mjekët, të cilët nuk janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e mjerueshme të mjekësisë, por peshën më të madhe për situatën e mjerë e ka Ministria e Shëndetësisë.

Çuditërisht koha e operacionit ka ardhur disa ditë pas ankesës që bluzat e bardha bënë pasi nuk kishin marrë rrogën e dhjetorit të kaluar.

RonaTyra

Ditën e sotme pas një hetimi disa javor, Policia e Shtetit ka realizuar operacionin “Skaneri”për të goditur korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës për realizimin e skanerit në QSUNT.

Si rezultat i këtij operacioni është arrestuar mjeku Nazmi Metaliu dhe tekniku i imazherisë Astrit Mansaku. Sipas hetimit, të dy mjekët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të shmangur procedurën standarte të skanerit duke marrë ryshfet nga qytetarët.

Padyshim mjekët duhet të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e ligjit, por kush do e mbajë përgjegjësinë për miliona euro investime të shkuara dëm në shëndetësi dhe për mungesë stafi dhe pajisjesh?

Rekomandimet e fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i kanë sugjeruar qeverisë të rishikojë skemat e financimit për shpenzimet shëndetësore pasi shqiptarët paguajnë shumë para informale nga xhepi.

Problemi për realizimin e skanerave është një procedurë, që ka patur vazhdimisht ankesa nga qytetarët për radhët e gjata dhe për mungesën e skanerave për të përballuar kërkesat. Ne shkuam në QSUNT për të parë gjendjen dhe pacientët që ishin në radhë për skanerin në QSUNT, pranuan se kishin 2-3 ditë që prisnin për të bërë skanerin pa dashur të prononcoheshin.

Gjithashtu ata pranuan se pacientët që kishin mundësi ekonomike shkonin nga privati pasi kryerja e skanerit në kohë zbulon dhe parandalon sëmundje të ndryshme.

Redaksia iu drejtua me një kërkesë për informacion QSUNT duke e pyetur se pse nuk funksiononin të gjithë skanerat. Institucioni deklaroi se ka një flotë skanerash në dispozicion duke mohuar radhët e gjata të njerëzve që qendronin në bodrumin e godinës së Urgjencës.

Gazetarët pyetën një person nga stafi për numrin e skanerave te godina e Urgjencës dhe tha se tek godina kishte vetëm një skaner (CT) aktiv.

Përgjigje nga QSUNT

Por tenderat dhe mirëmbajtja e skanerave të QSUNT-së ka një histori problematike sepse para 3 vitesh Ministria e Shëndetësisë programoi blerjen e një skaneri që do realizohej në vitin 2020, por procesi u zgjat nga ankesat e kompanive që merrnin pjesë në garë.

Në gusht 2020, për skanerin me vlerë 1.17 milionë euro i shpall fituese kompania “Montal” shpk, e cila aktualisht mirëmban një pjesë të mirë të pajisjeve në QSUNT. Megjithatë dy kompanitë e tjera në garë “Health &Light” shpk dhe “BNT Electronics” shpk bënë ankesë në korrik të vitit 2020, për modifikimin e kritereve teknike nga Ministria e Shëndetësisë, pasi favorizonin kompaninë “Montal” shpk.

Komisioni i Prokurimeve Publike vendosi të pranojë pjesërisht ankesat dhe në shtator të vitit 2020 gara u përsërit. Në të morën pjesë 8 kompani, por sërish u shpall fituese kompania “Montal” shpk me vlerë 810 mijë Euro, që ishte 22% më e lartë se oferta e kompanisë tjetër garuese “Medfau” shpk prej 650 mijë eurosh.

Kompanitë pjesëmarrëse “Medfau” dhe “BNT Elektronics” u ankuan sërish dhe KPP-ja vendosi përsëri e anulloi garën, duke i kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ofrojë garë të hapur dhe me kritere logjike.

Kompania “Montal” ka fituar të paktën 8 tendera me procedurën me negocim, procedurë e cila është  cilësuar nga kryeministri Edi Rama “si kancer që ha lekë”. Këtë deklaratë kryeministri Rama e ka bërë në mbledhjen e 9 korrikut 2021 me kryetarët e bashkive për paketën e re për prokurimet publike ku kërkonte heqjen e kësaj procedure.

Por vonesat me procedurat ka vonuar për dy vjet instalimin e skanerit ka sjellë shërbim të cunguar ndaj qytetarëve duke marrë shkas nga ankesat.

Por Ministria i dha zgjidhje problemit me ankesat e operatorëve sepse në shkurt të vitit të kaluar “Montal” shpk fitoi tenderin “Mirembajtje Full-Risk e pajisjeve mjekesore prodhues GE (ose ekuivalent), per nevojat e QSUNT per 24 muaj” pa patur asnjë konkurrent pjesëmarrës duke u shpallur automatikisht fituese kompania në pronësi të Skënder Lufit.

Në kërkesën tonë për informacion, QSUNT ka deklaruar se mirëmban pajisjet e skanerave dhe ndërkohë dy skanera janë në proces, duke përshkruar një panoramë komplet ndryshe nga realiteti që fshihet në bodrumet e Urgjencës.

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu