Qeveria kapet në mashtrim/ Nuk i jep pensionistëve kompensimin për çmimet. Zyrtarë të ministrisë: Nuk është miratuar me VKM, s’kemi dijeni kur mund të miratohet

0
16
Gjigandi

Pensionistët janë lënë në mëshirë të fatit, ndihma ekonomike prej 3000 lekësh për të moshuarit, me pension minimal, nuk është miratuar. Për 3 muajit që lamë pas, 576 mijë qytetarë arritën të merrnin këtë ndihmë të çalë, por që u ndërpre pasi mbaroi afati.

Qeveria nuk e ka parë të arsyeshme që të vazhdojë paketën e Rezistencës sociale. Në 14 mars të vitit 2022, në një takim, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave dhe e Ekonomisë Delina Ibrahimaj shpalosën “ndihmën e cunguar”.

Pensionistë, familjar u drejtuan redaksisë së Abc24.al për të shprehur shqetësimin e tyre.

“Mami me babin tim morën pensionin sot dhe kompensimin e 3.000-lekeshit nuk e morën, sepse s’ka dalë vendimi i qeverisë. Nami te zyrat e pensionit, kërkonin  3.000-lekëshat.”

Redaksia iu drejtua zyrtarëve të Ministrisë së Financave, për të marrë informacion, burimi sqaroi se deri më tani nuk ka asnjë VKM për të çelur fondin.

“Deri më tani nuk ka një VKM për të shtyrë edhe për 3 muaj të tjerë,  nuk dihet nëse kjo ndihmë do vazhdojë, mbetet për t’u parë.”

Edhe pse ushqimet e shportës nuk kanë ndryshuar, vendi vijon të vuajë në krizë ekonomike dhe financiare, barra bije mbi kurrizin e pensionistëve, kriza vazhdon, por paketa ekonomike ndërpritet.

Propaganda e qeverisë vazhdon linjën, ministrja ka dalë në datën 1 korrik të këtij viti në konferencë për media dhe deklaron se kemi të bëjmë me rritje ekonomike me 6% në tremujorin parë të vitit 2022.

Bordi i Transparencës përcaktoi në fillim të prillit çmimet për 4 produkte të shportës: orizin, sheqerin, vajin e lulediellit dhe miellin. Ndërkohë, qytetarët shprehen se çmimet janë ende të larta dhe për ta është e papërballueshme jetesa në këto kushte. Një raport i Bankës Botërore, që i referohet të dhënave të vitit 2017, thekson se 33.8% e popullsisë jetonte me më pak se 5.5 dollarë në ditë, por si mund të mbijetohet në kushtet kur edhe çmimet e ushqimeve bazë njohin vetëm rritje?

Një vendim i marrë nga Bordi i Transparencës përcakton çmimet e produkteve të shportës.

“Pas analizimit të këtyre marzheve, Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet t’i ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se: 104 lekë/kg për orizin (1 kg); 123 lekë/kg për sheqerin (1 kg); 321 lekë/litër për vajin e lulediellit; 90.5 lekë/kg për miellin masiv”, përcaktohet në vendimin e Bordit të Transparencës.

Abc24.al  vendosi të bëjë një verifikim në një prej supermarketeve në kryeqytet për të parë si variojnë çmimet për produktet e shportës.

Çmimet për orizin varionin nga 104 lekë deri në 429 lekë për kilogram. Ndërkohë kishte lloje dhe çmime të ndryshme të orizit, në varësi të firmës prodhuese dhe cilësisë.

Duke e kaluar limitin e vendosur nga Bordi i transparencës, nga ana  tjetër, pensionistët ankohen se e kanë të pamundur të përballojnë jetesën në këto kushte.

Ne jemi pensionistë, ne po vuajmë. Me 120 mijë lekë, çfarë të bëj, të paguaj drita, ujë apo shpenzimet e gruas, që është me ilaçe?! Çmimet janë të larta krahasuar me çfarë kanë qenë. Është turp, ne po vuajmë,” – shprehet i moshuari.

Paketa e Rezistencës sociale parashikon 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve.

Qeveria kompensojë deri në qershor rritjen e çmimit të shportës me 3 mijë lekë në muaj për 3 muaj rresht, ku përfituan 576 mijë qytetarë. Nga kjo masë përfituan pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm (në kuptimin individualisht apo në çift), si dhe persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike./Abc24.al

 * Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu