Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar komisioni i ekspertëve, i angazhuar nga Komiteti Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në përbërje të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë zhvilluar vizitat në terren te ky kompleks.
Në njoftimin e lëshuar në rrjetin social Facebook thuhet se komisioni i ekspertëve, gjatë muajve në vijim, do të vazhdojë me punën në përgatitjen e detyrës projektuese për shpalljen e konkursit për master planin e kompleksit.
“Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor, të udhëhequr nga historiania e arkitekturës dhe eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore, dr. Amra Haxhimuhamedoviç kanë zhvilluar vizitë pune në kompleks, duke u takuar dhe biseduar me familjarët, duke parë nga afër vendin dhe mbledhur dokumentacion për të zgjeruar më tej hulumtimin në fushat specifike lidhur me kompleksin”.
“Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministri i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndërministror”
, thuhet në njoftim.