Ushtria turke do ta vazhdojë operacionin “Burimi i Paqes” dhe do të shënjestrojë elementet terroriste në veri të Sirisë pas afatit 120-orësh nëse nuk zbatohet marrëveshja e arritur midis Turqisë dhe SHBA-së, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA). “Nëse nuk realizohet, në momentin e përfundimit të afatit 120-orësh ne do ta vazhdojmë operacionin aty ku ka mbetur dhe do të vazhdojmë t’i shtypim terroristët”, tha Erdoğan në një ceremoni inaugurimi në Kayseri. Erdoğan theksoi se qëndrimi i Turqisë në krijimin e zonës së sigurt në veri të Sirisë ka qenë gjithmonë i njëjtë dhe nuk ka ndryshuar. Ai deklaroi se forca të regjimit sirian janë të pranishme në disa pjesë të zonës së operacionit turk në Sirinë veriore. “Këtë çështje do ta diskutoj me Putin”, shtoi presidenti turk. Erdoğan po ashtu foli edhe në lidhje deklaratat kundër Turqisë pas nisjes së operacionit “Burimi i Paqes”. “Fatkeqësisht, në nëntë ditët e fundit, është bë çdo lloj shëmtire kundër Turqisë. Pasi ranë maskat nga fytyrat e tyre, ne pamë se kush çfarë është”, tha Erdoğan. Ndryshe, Turqia dhe SHBA të enjten arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në veri të Sirisë. Turqia ra dakord të pauzojë operacionin e saj “Burimi i Paqes” për 120 orë në mënyrë që të lejojë tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurt. Në bisedimet e së enjtes, Erdoğan dhe nënpresidenti amerikan Mike Pence gjithashtu ranë dakord që Turqia të ketë një zonë prej rreth 30 kilometrash në kufirin sirian. Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë. Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG. Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.