Pse jemi fiksuar pas Luizit, Kiarës, Oltës dhe gjithë “Big Brother-it”

0
Gjigandi

Tashmë është fakt: “Big Brother VIP” është programi më i popullarizuar në Shqipëri. Banorët e edicionit të dytë të shtëpisë së famshme janë ndër më të komentuarit, më të përmendurit në rrjete sociale e ndër më të diskutuarit nëpër programe televizive. Ju mund të mos e keni parë një ditë të vetme BBVA, por me siguri i keni marrë vesh dramat brenda shtëpisë (me në krye historinë e Luizit). E keni menduar ndonjëherë pse na pëlqen ta shohim “Big Brother”?

Sipas Dr. Jana Scrivani, një psikologe klinike me shumë përvojë, një nga arsyet kryesore psikologjike që na pëlqen të shohim reality show është ndjeshmëria.

“Programet reality show na japin një ndjenjë të rreme se ne më të vërtetë i njohim njerëzit që shohim në ekran. Prandaj edhe quhet ‘reality’ [realitet] sepse ekziston raporti i të pasurit marrëdhënie me të tjerët, ndonëse ne jemi të vetëdijshëm se është një ndjenjë e ekzagjëruar.” – thotë ajo.

Sipas psikologes, “me kalimin e kohës, ne i shohim njerëzit në ekran si miq. Ne identifikohemi me betejat dhe triumfet e tyre.”

Një program si “Big Brother”, aq më tepër në formatin VIP ku secili prej tyre, kush më pak e kush më shumë ka një numër njerëzish që i vlerësojnë për arritjet (fansa), karakterizohet nga tendenca për të krijuar një lidhje mes shikuesve dhe banorëve brenda shtëpisë. Të qenit të vëzhguar gjatë gjithë kohës, ndarja e historive personale (problemet në familje, dhuna, shëndeti, pasiguritë ekonomike, konfliktet) dhe dinamikat brenda e jashtë lojës i bën banorët që të jenë si “të afërt” për publikun.

RonaTyra

Sipas Psychology Today, sa më pak njerëzit të jenë të lidhur me të tjerët në jetën e tyre, aq më shumë mund ta duan dramën e reality show-ve. Megjithatë, kjo nuk është gjithëpërfshirëse, pasi shumë mund të fiksohen me “Big Brother VIP” dhe programe të ngjashme duke pasur marrëdhënie normale ndërpersonale.

Dr. Carole Lieberman me profesion psikiatre dhe konsulente televizive thotë se një tjetër arsye pse njerëzit kanë interes për ngjarjet e programeve reality show lidhet me faktin se ata jetojnë tërthorazi përmes përvojave që vetë nuk do të donin t’i përjetonin.

“Ne jetojmë tërthorazi me historitë e tyre, të sigurt nga divani ynë i shtëpisë. Ne nuk na duhet të rrezikojmë ndjenjat dhe reputacionin tonë duke jetuar përmes përvojave të pjesëmarrësve në reality show.”- thotë ajo.

Njerëzit janë krijesa mjaft komplekse. Ndonjëherë kemi interes jo vetëm për ata që duam, por shpeshherë edhe për ata që nuk na pëlqejnë.

Imagjinojeni këtë raport si një sallë gjyqi: banorët kundërshtojnë njëri-tjetrin (këtë edicion kundërshtojnë Luizin), ndërsa ne, në rolin e gjykatësit, dëgjojmë me kureshtje se çfarë po ndodh dhe në një pozitë të privilegjuar nga ekrani i telefonit apo televizori, gjykojmë dhe ndajmë me të tjerët mendimin tonë.

Vetë natyra njerëzore është kurioze, kështu që nuk është aspak çudi që njerëzit shohin, qoftë edhe për të kaluar kohën, debatet, konfliket dhe bisedat brenda “Big Brother VIP”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu