Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike ka publikuar sot gjetjet e procesit të votimit dhe zgjedhjeve për kryetaret e degeve qe ka zhvilluar Komisioni i Rithemelimit.
Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, Albana Vokshi, tha se “për herë të parë janë zgjedhur 8 zonja kryetare, pra 11% nga niveli 1% që ka qenë para këtij procesi, ka pasur vetëm një kryetare në degën 2 në Tiranë”.
“Ju informoj per ecurinë e procesit zgjedhor në të gjitha degët e PD. Ky proces ka nisur që në mbledhjen e komisionit të Rithemelimit në 9 janar. Në 70 degë të PD ka përfunduar procesi zgjedhor.
Disa nga gjetjet e këtij procesi:
Morën pjesë në total 39 mijë e 512 anëtarë që kanë ushtruar të drejtën e votës.
Janë dy degë në të cilat ende s’është bërë Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit të degës, Malësi e Madhe e Tirana dega 12.
Me këto do tejkalohet dhe numri 40 mijë anëtarë, pra pjesëmarrja më e lartë se në 13 qershor.
Ka qenë interesi shumë i lartë i demokratëve për të qenë pjesëmarrës qoftë me përzgjedhjen, zgjedhjen e kryetarëve në gjithë nivelet, hierarkinë e PD në gjithë degët.
Në shumë raste në gjithë degët është kërkuar shtyrje e afatit për mbylljen e procesit për shkak të interesit të lartë.
Në Bulqizë votimi është mbyllur në 9 të darkës, tregon që interesi i demokratëve për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor ka qenë tejet i lartë.
Konkurrueshmëria ka qenë shumë e lartë. Kanë qenë 192 kandidatë, nga këta 27 zonja kandidate për kryetare më shumë se 14% zonja kandidate në gjithë degët ku janë zhvilluar zgjedhjet.
Për herë të parë janë zgjedhur 8 zonja kryetare, pra 11% nga niveli 1% që ka qenë para këtij procesi, ka pasur vetëm një kryetare në degën 2 në Tiranë.
Nuk ka pasur imponim të emrave nga Komisioni i Rithemelimit. Është vetë anëtarësia që ka propozuar, përzgjedhur dhe ka votuar për kryetarët e tyre. Për herë të parë në historinë e pluralizmit, zgjedhjet partiake bëhen me parimin një anëtar, një votë. Pushteti ka kaluar nga kryetarët tek anëtarësia”.