Prishtina ka triumfuar në finalen e Kupës së Kosovës në futsall. Në ndeshjen finale të zhvilluar, të mërkurën, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, FC Prishtina e ka mundur FC Liqenin nga Drenasi, me rezultat 5:2.
Kjo finale dhuroi lojë shumë të fortë dhe cilësore, derisa u ndoq nga një numër i konsiderueshëm i tifozëve të të dyja klubeve.
Pjesa e parë ishte e hapur dhe me lojë dinamike nga të dyja ekipet. Si rrjedhojë u shënuan pesë gola. Ndeshja nisi mirë për FC Prishtinën, e cila dominoi duke krijuar epërsi prej dy golash nëpërmjet Driton Nishorit (2′) dhe Jeton Rukovcit (10′). Më pas Liqeni arriti ta ngushtojë epërsinë me golin e Dardan Topillës (11′). Prishtinasit shënuan sërish në minutën e 12-të, kur Jeton Rukovci realizoi golin e tij të dytë. Mirëpo, rezultatin e ngushtoi sërish Dardan Topilla, me golin e minutës së 15-të.
Në pjesën e dytë u zhvillua lojë shumë e fortë, ku përkundër presionit të vazhdueshëm të Liqeni nuk arriti të gjejë hapësira në mbrojtjen e ngjeshur të prishtinasve për të barazuar rezultatin. Në anën tjetër, Prishtina arriti që nëpërmjet kundërzbritjes së shpejtë të shënojë edhe dy gola tjerë nëpërmjet Fatlum Pishtanit, në minutën e 33-të dhe Melos Kelmendit në minutën e 39-të, duke e konfirmuar fitoren.
Në fund, trofeun kapitenit të FC Prishtinës, Jeton Rukovci, ia dorëzoi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa medaljet për FC Prishtinën dhe FC Liqenin i ndanë presidenti Ademi, drejtori i sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova dhe kryetari i Komisionit të futsallit, Haki Xhemajli.