Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nderoi sot me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” martirin e lirisë së Kosovës, Nuhi Berisha, pas vdekjes.
Pas vlerësimit të mëhershëm për Rexhep Malën, Meta tha se ka privilegjin e veçantë të vlerësoj bashkëluftëtarin e jetës dhe të idealit të tij, si dhe frymëzuesin e brezave të rinj për atdhedashuri dhe sakrifice sublime për lirinë e Kosovës, Nuhi Berishën.
Dekorata u tërhoq nga familjarët e Berishës në një ceremoni të veçantë në presidencë.
“Me mirënjohje për rezistencën e pandërprerë dhe heroike ndaj dhunimit të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve të Kosovës nga shteti shovinist në ish-Jugosllavi, duke dhënë edhe jetën e tij në moshë të re në fushën e betejës”, thuhet në motivacionin që shoqëron dekoratën.
“Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala, janë dy emra të shquar të historisë më të re të Kosovës. Ata i lidhi dhe i bëri të pandashëm ideali i tyre i përbashkët”, ka thënë Presidenti.
“Ata zhvilluan veprimtarinë e tyre kombëtare dhe patriotike deri në ditët kur ekspeditat e mëdha policore serbe i rrethuan në Kodrën e Trimave në Prishtinë, ku banonin të dy së bashku. U përbetuan të mos bien në duar e policisë serbe dhe bënë luftë më 11 dhe 12 janar 1984”, ka shtuar Meta.
“Luftuan dhe ranë heroikisht me pushkën në dorë, për të mbetur përjetësisht në gurët e themelit të Kosovës së lirë edhe të pavarur. Ata luftuan për Atdheun që të gëzoi lirinë, sepse historia i kishte mësuar që popujt që nuk luftojnë zhduken, kurse ata me asnjë çmim nuk donin jo vetëm që populli ynë të zhduket, ata ishin të bindur në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që e gëzojnë gjeneratat e sotme. Prandaj, ata mbeten të pavdekshëm”, tha në fjalën e tij Meta.
Presidenti shtoi gjithashtu se Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha “kanë frymëzuar brezat me ndjenjat e atdhedashurisë dhe të sakrificës më sublime për komb e atdhe”.
/abc24.al/