Frikë e madhe në futbollin e Kosovës. Dje, gjatë një ndeshjeje të Kategorisë së parë atje, ish-futbollisti i Laçit dhe Burrelit është ndier keq, ka rënë pa ndjenja në fushë. Ambulanca e ka dërguar me urgjencë në spital, ku është konstatuar se kishte pësuar arrest kardiak. Ndërhyrja e mjekëve ka qenë e shpejtë dhe vendimtare, duke e mbajtur në jetë. Shpëtimtare ka qenë ndërhyrja kirurgjikale për t’i vendosur një stentë Alban Rexhepit.
Ngjarja – Sulmuesi i Vllaznia të Pozheranit në Kosovë, Alban Rexhepi, ka pësuar arrest kardiak gjatë ndeshjes ndaj Flamurtarit. Klubi “Vllaznia” ka njoftuar se Rexhepi është dërguar me urgjencë në QKUK dhe i është vendosur një stentë, ndërsa tani është në gjendje të stabilizuar:
“Gjatë ndeshjes mes KF Vllaznia Pozheran dhe KF Flamurtari, sulmuesi i krahut i klubit tonë Alban Rexhepi kishte një shqetësim shëndetësor gjatë zhvillimit të pjesë lojës së dytë. Pas vizitës në QKUK u konstatua se kishte pësuar arrest kardiak.
Mjekët në qendrën klinike universitare intervenuan dhe i vendosën një stentë. Albani tani është ne gjendje stabile dhe ka filluar ta marrë veten. Një faliminderim i veçantë shkon për intervenimin e shpejtë dhe të suksesshëm nga mjekët tanë. I urojmë Albanit shërim të shpejtë!”
Presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, e ka vizituar futbollistin në spital dhe ka shprehur gjithë mbështetjen e tij, të çfarëdollojshme: “Në orët e mbrëmjes isha për vizitë në QKUK te futbollisti i KF Vllaznia nga Pozherani, Alban Rexhepi.
Ai në ndeshjen e sotme të Ligës së Parë, Vllaznia-Flamurtari, shfaqi disa shenja shqetësimi në shëndet gjatë pjesës së dytë, derisa pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua se kishte arrest kardiak dhe si rrjedhojë ishte e domosdoshme t’i vendoset një stentë.
Fatmirësisht Albani tashmë është në gjendje të mirë, falë intervenimit të shpejtë të stafit mjekësor të QKUK-së. E urova për ta tejkaluar sa më parë këtë gjendje si dhe ia shpreha gatishmërinë për ndihmë në rast nevoje në të gjitha format. Urojmë që ai sa më parë të rikthehet pranë familjes, por edhe klubit dhe futbollit. Shërim të shpejtë Alban! Të presim më të fortë!”