“Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qiriazi” janë dy shkollat më të reja që i shtohen kryeqytetit, me kushte bashkëkohore, klasa moderne dhe terrene sportive, të cilat mund të përdoren pas mësimit edhe nga komuniteti. Ato u përuruan në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi deputetja e PS në Njësinë 8, Mimi Kodheli.
Veliaj tha se zona e “Bregut të Lumit”, në rrugën “Besa”, nga një zonë e lënë në harresë, po kthehet në një nga vendet më të lakmuara të kryeqytetit, pasi është shndërruar në një bizhu të arkitekturës dhe hapësirës për qytetarët.
“Zona e ‘Bregut të Lumit’ cilësohej si një realitet jashtë vëmendjes, një zonë e ndërmjetme mes lumit dhe urbanistikës së Tiranës. Tashmë zona e ‘Bregut të Lumit’, me investimet që kemi bërë, duke filluar nga shkolla e parë që ndërtuam, ‘Ardian Klosi’, apo gjithë lagjja e re që po zhvillohet, hapja e aksit të rrugës ‘5 Maji’, po kthehet në një nga zonat më të zhvilluara të Tiranës. Me autostradën që do të kalojë nga ana tjetër e lumit dhe 4 ura, që do e lidhin me zonën e Paskuqanit dhe Kamzës, do e bëjnë këtë zonë portën hyrëse të Tiranës. Do jetë zona ku do ketë më shumë rritje të vlerës së pronës se te 27 njësitë e Tiranës”, tha Veliaj.
Duke folur për emërtimin e dy shkollave të reja, kryebashkiaku tha se Kiço Blushi dhe Sevasti Qiriazi janë dy personalitete nga Korça, duke ironizuar deklaratat për të ardhurit në Tiranë nga opozita.
“Unë e di se, teksa afron fushata në Tiranë, plas një modë patetike e atyre që garojnë, që bëjnë garë për të treguar kush është më ‘tirons’ dhe nuk është i ardhur në Tiranë. A thua se të ardhurit kanë sjellë probleme! Në fakt, të ardhurit kanë sjellë mundësi.Të ardhurit kanë sjellë krah pune, të ardhurit kanë sjellë talent, të ardhurit kanë sjellë sipërmarrje” – tha Veliaj.
Minitrja e Arsimit, Evis Kushi falënderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për punën e bërë, sidomos me shkollat në Tiranë. Ndërsa, ministrja e Rinisë, Bora Muzhaqi shprehu gëzimin e saj për gjitha mjediset moderne dhe bashkëkohore që po bëhen në Tiranë, në mënyrë që fëmijëve të mos u mungojë asgjë.