Me fanellën e Interit, ai arriti të ngjitet në “çatinë” e botës. Shpesh, pas triumfeve të mëdha ka figura që mbesin në hije me vite, por që pas një kohe të gjatë mbahen mend me rëndësinë e duhur. Ky është rasti i Julio Cesar, ish-portierit brazilian, dhe ish-trajnerit zikaltër, Giulio Nuciari.
Për mikrofonat e “Sky”, ish-trajneri i dërgoi një mesazh me video ish-portierit zikaltër, i cili menjëherë kujtoi atë që e angazhoi në futbollin italian: “Unë nuk e kam parë atë prej shumë vitesh, jam i entuziasmuar. Nuciari ishte shumë i rëndësishëm për mua. Ai erdhi të më vizitojë në Verona për të më shpjeguar atë që dëshironte Mancini nga unë. Tek Interi, menjëherë besoi në potencialin tim. Unë gjithmonë i dëgjoja fjalët e tij, përsa kohë që kemi punuar së bashku”.
Julio Cesar shpërtheu në lot, teksa po kujtonte eksperiencën me Nuciari, duke shpjeguar se sa i rëndësishëm ishte në ekonominë e karrierës së tij: “Kanë kaluar vite, në të cilat ai më njohu me futbollin italian dhe punën e portierit në Itali. Unë jam i entuziasmuar, deri i përlotur teksa e kujtoj, sepse gjithçka që fitova ia kam borxh atij”.
Dy vite pasi fitoi “tripletën”, ish-portieri brazilian i tha lamtumirë Interit. Një transferim te QPR, të cilin futbollisti i datëlindjes 1979 do të donte ta kishte shmangur: “Sikur të ishte për mua, do të kisha qëndruar tek Interi deri në fund të karrierës. Ndodhën disa gjëra, që unë nuk i kuptoja, por gjithmonë kisha respekt të madh për klubin. Prandaj, unë e pranova vendimin”.