Në prag të seancës së radhës në Gjykatën Administrative të Apelit studentë e pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë protestuar kundër vendimit të qeverisë që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës një pjesë të Kopshtit Botanik. Ata thonë se kopshti duhet t’i mbesë fakultetit dhe vendimin do ta kundërshtojnë me çdo formë. Braktisën auditorët dhe dolën në oborr. Rreth një orë një pjesë e studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të administratës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës protestuan kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha tokë të Kopshtit Botanik. Pedagogë e studentë kërkojnë që Kopshti Botanik të jetë në shërbim të procesit mësimor, ndërsa shprehen se qeveria vendosi t’ia kalojë bashkisë pa transparencë. Vendimi i Këshillit të Ministrave sipas pedagogëve bie në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë. Ata shprehen se do ta kundërshtojnë me çdo mjet. Të martën në Gjykatën Administrative të Apelit do të mbahet seanca e radhës për këtë çështje. Ndërsa pedagogë e studentë do të marshojnë drejt gjykatës dhe vendimin do ta presin në hyrje të godinës. Më 9 tetor Gjykata Administrative e Apelit shtyu seancën për më 29 tetor pasi palët nën akuzë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit nuk u paraqitën. /AbcNews Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!