Pasi Ardian Dovrani u shpreh se nuk është ai personi që është takuar me botuesin Henri Çili, Partia Demokratike i është drejtuar me një mesazh kreut të shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi.
PD shkruan se në kushtet kur Sadushi është de fakto kandidat pa rival në gjykatën e lartë, ati duhet të flasë, pasi heshtja nuk e ndihmon.
PD: Ardian Dvorani deklaroi një ditë më parë se nuk është ai personi që prokuroria e identifikon në dosjen penale si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë, që ka premtuar favore të paligjshme për një dosje në Gjykatën e Lartë. Në mungesë të zbulimit të emrit nga policia dhe prokuroria, që vazhdojnë të punojnë me dy standarde, Sokol Sadushi duhet t’i japë fund heshtjes dhe të japë shpjegime publike për pozicionin e tij. Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë. Si kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i tij pritet të ndodhë në mars, kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm. Është koha që Sokol Sadushi të flasë! Heshtja nuk e ndihmon dot gjatë!
Kujtojmë se në përgjimet dhe dosjen e prokurorisë në dosjen ‘Mezhgorani’, përmendej një takim mes Henri Çilit dhe një zyrtari të lartë. Qellimi i takimit sipas organit të akuzës kishte të bënte me ndërhyrjen e ndërmjetësimin që botuesi Çili i kishte premtuar babait të vellëzërve Aliko, të dënuar me masa të rënda burgimi për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat. Kundrejt një sërë parash të thata dhe disa pronave të paluajtshme, botuesi Henri Çili do të ndërmjetësonte për dy vëllezërit pranë një gjyqtari të lartë, në kushtet kur dosja e tyre aktualisht qëndron prej kohësh në stivën e dosjeve që ka për të shqyrtuar Gjykata e Lartë, e cila momentalisht ka vetëm një anëtar, kreun e KED-së Ardian Dvorani.
Kujtojmë gjithashtu se Henri Çili mori pak ditë më parë masën e detyrimit të paraqitjes nga ana e Gjykatës së Përmetit, e cila në përfundim të seancës për dosjen ‘mezhgorani’ njoftoi moskompetencë për të dhe e dërgoi në SPAK.