Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë për gjenocidin serb të kryer në Kosovë si dhe mocion për zhvillimin e debatit. Gjithashtu, kërkohet që Kuvendi të shpall 15 Janarin, ditën në përkujtim të masakrës së Reçakut, ditë të përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD kjo projektrezolutë synon pranimin nga Serbia të kryerjes së gjenocidit në Kosovë, ndihmë aktive për zbardhjen e fatit dhe gjetjen e personave te zhdukur, shpërblimin e dëmeve të ardhurave nga gjenocidi dhe heqjen dorë të çdo përpjekje të Serbisë për të dëmtuar interesat e Kosovës.
Ndërkohë për institucionet shqiptare, Alibeaj kërkon angazhim maksimal për zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe mbështetjen e pakushtëzuar ndaj republikës së Kosovës
Rezoluta e thekson dhe përdor termin ‘gjenocid’ për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Ajo bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve; sikundër dhe në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, E/CN.4/1999/SR.19, dt. 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë.
Rezoluta i referohet krimeve të kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe institucionalizuar në rang shtetëror me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, që rezultoi me dëbimin e rreth 1 milion personave (shoqëruar me konfiskimin e dokumenteve të identitetit, automjeteve apo çdo lloji tjetër me qëllim shkatërrimin e dëshmive për identitetin dhe përkatësinë e tyre shtetërore), vrasjen e rreth 12 mijë civilëve të pambrojtur nga të gjitha etnitë, mes të cilëve 1392 fëmijë dhe 1739 gra.
Gjithashtu, në bazën e saj janë 100 masakrat kolektive të evidentuara ndaj popullsisë civile në Kosovë, shqiptarë, me shkatërrime të vendbanimeve dhe shtëpive në shumë qytete e fshatra në territorin e Kosovës; duke pasur parasysh tmerret e këtyre akteve brutale ndër të cilat përfshihen djegien e gjallë në prani të familjarëve, vrasjen mizore të fëmijëve, grave dhe të moshuarve si në Likoshan, ku nga 28 shkurti deri në 1 mars 1998 pati 24 viktima civile.
Kjo kërkesë e Partisë Demokratike vjen në prag të përvjetorit të 23-të të çlirimit të vendit nga regjimi serb e që shënohet më 12 Qershor.