Koreja e Veriut po përgatitet të shpërndajë trakte në Korenë e Jugut me përmbatje kundër këtij vendi. Lajmi u njoftua të shtunën nga media shtetërore e vendit komunist.
“Koreano veriorët janë të zemëruar e po përgatiten për një shpërndarje në shkallë të gjerë të trakteve në Jug”, bëri të ditur Agjensia Shtetërore e Lajmeve “KCNA”. “Çdo veprim do të marrë përgjigjen e duhur. Vetëm kur dikush e përjeton vetë mund të ndjejë se sa fyese është kjo gjë”, tha agjensia e Koresë së Veriut.
Pheniani ka fajësuar dezertorë të vendit se kanë hedhur trakte përtej kufirit dhe ka kërcënuar me veprime ushtarake.Vendimi për të shpërndarë fletëpalosje është akti më i fundit hakmarrës i Pheniani i cili është kritikuar ashpër nga Seulit në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë rritur. Në një deklaratë të shtunën të Ministrisë për Bashkimin në Korenë e Jugut thuhej se fushata e Phenianit për të shpërndarë trakte nuk ishte aspak e mirëpritur duke i kërkuar të hiqte dorë menjëherë nga ky plan.
Të dy Koretë, të cilat i dhanë fund luftimeve falë një armëpushimi në vitin 1953 janë angazhuar prej dekadash në fushata shpërndarjesh të trakteve. Të martën Koreja e Veriut përdori eksplozivë për të shkatërruar një ndërtesë në territorin e saj, në shenjë zemërimi nga ato që i quan trakte të propagandës së Koresë së Jugut.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ngrirë prej disa muajsh pas dështimit të një takimi të nivelit të lartë në Hanoi mes udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe Presidentit amerikan Donald Trump.
Burimi: top-channel.tv